Presidenti serb, Aleksander Vuçiç, tha se Serbia është e gatshme të pranojë dhe zbatojë konceptin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ai i bëri këto komente pas takimit me të dërguarit amerikanë dhe evropianë të cilët më herët gjatë ditës qëndruan në Prishtinë.
Pas takimit me presidentin serb, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, tha se ndihet i inkurajuar nga bisedimet, të cilat ai i cilësoi të vështira por të hapura.
“Presidenti Vuçiç demonstroi një qasje të përgjegjshme dhe gatishmërinë për të marrë vendime të vështira në interes të paqes dhe të ardhmes evropiane të Serbisë”, tha Lajçak për gazetarët pas takimit.