Zyra për Punët e Brendshme në Britaninë e Madhe ka urdhëruar njësitë e azilkërkuesve që të punojnë vetëm me kërkesat e shqiptarëve, në mënyrë që të përshpejtohet deportimi i tyre.
The Independent shkruan se ka mësuar që operacioni i koduar Bridora synon të shpallë sa më shumë aplikime të jetë e mundur të pabaza nga shqiptarët dhe t’i largojë ata nga Britania e Madhe pas rritjes së numrit të atyre që mbërrijnë me varka të vogla.
Më shumë se 140 mijë kërkesat për azil që presin për një vendim në Britaninë e Madhe, rreth 22,900 janë nga shqiptarët.
Një burim tha se besonte që qëllimi i operacionit Bridora ishte të certifikonte sa më shumë kërkesa për azil nga shqiptarët sipas ligjit, në mënyrë që njerëzit të largohen nga Britania e Madhe dhe për t’ia ndaluar atyre që të apelojnë rastin nga jashtë vendit.
Jonathan Featonby, analisti kryesor i politikave në Këshillin e Refugjatëve, tha se organizata po punonte me refugjatët shqiptarë që ishin viktima të trafikimit dhe shfrytëzimit dhe se ata kanë kërkesa legjitime për azil.
Kjo vjen në një kohë kur qeveria britanike përgatitet të sjellë akoma më shumë projektligje në parlament në përpjekje për të kufizuar kalimet me varka të vogla, të cilat kanë vijuar të rriten pavarësisht politikave për parandalimin e tyre.
Si Rishi Sunak ashtu edhe Suella Braverman janë fokusuar te shqiptarët, duke i cilësuar gjerësisht si “emigrantë të paligjshëm”.
Këtë të enjte kryeministri britanik e quajti “qesharak” numrin e shqiptarëve që kalojnë Kanalin Anglez me varka të vogla dhe u zotua se “do t’i kthejë me avionë emigrantët e paligjshëm nga Shqipëria dhe kjo do të vijë në rritje gjatë vitit”.









