Qeveria shqiptare ka kërkuar pranë Bankës Botërore një tjetër hua, e cila llogaritet në 120 milionë dollarë dhe ka në fokus të saj rritjen e qëndrueshmërisë ndaj të papriturave si dhe zhvillimin e gjelbër.
Kur i referohet rritjes së qëndrueshmërisë, projekti që është parashikuar të kalojë në bord në mars 2023, duket se nënkupton masat për më shumë të ardhura në dispozicion ndaj goditjeve që pëson ekonomia, por edhe parashikimi i fatkeqësive natyrore.
Në vetvete, projekti është i ndarë në tre shtylla. Së pari, forcimi i qëndrueshmërisë së sektorit qeveritar dhe familjeve; së dyti, forcimi i kuadrit të tregut të energjisë dhe rritja e energjive të rinovueshme dhe efikasitetit, dhe së treti, mbrojtja e mjedisit dhe zvogëlimi i gjurmës së karbonit të vendit.
Projekti i emërtuar Qëndrueshmëria e Para dhe Zhvillimi i Gjelbër- Financim i Politikave të Zhvillimit Programor(DPF) bën pjesë në programin e ri të financimit që Banka Botërore ka me qeverinë për vitet në vijim.
Për sa i përket qëndrueshmërisë fiskale, DPF (operacioni i parë) mbështet mobilizimin e të ardhurave të brendshme nëpërmjet zgjerimit të bazës tatimore nëpërmjet (i) një ligji të ri për tatimin mbi të ardhurat që sjell profesionistët në sistemin tatimor dhe (ii) forcimi i kapaciteteve të administratës tatimore.
Shtylla e dytë e serisë synon të ndihmojë Shqipërinë të rrisë furnizimin me energji të rinovueshme, duke përdorur një qasje të bazuar në treg, të prezantojë tregtimin e energjisë përmes Tregut të Organizuar me Shumicë (bursa) dhe të rritet eficienca e energjisë në Qeveri.
Shtylla e tretë e serisë përforcon qëndrueshmërinë mjedisore dhe qëndrueshmërinë klimatike të modelit të rritjes së Shqipërisë. Mbetjet plastike po shkaktojnë dëme të konsiderueshme në sektorët e ekonomisë blu të Shqipërisë, si turizmi bregdetar dhe peshkimi./monitor