Policia e Tiranës ka goditur një grup që ushtronte veprimtarinë kriminale në fushën e shpërndarjes në sasi dhe në doza të drogave të forta heroinë e kokainë. Operacioni “Kutia e Pandorës” pas një hetimi disajavor arrestoi katër persona. Nga operacioni u sekuestruan 6 kilogramë heroinë e kokainë dhe 1100 doza heroinë e kokainë. Gjithashtu janë sekuestruar shuma të mëdha parash në euro dhe lekë.
Të arrestuarit janë;
- Brikena Frakulli 40 vjeçe, banuese në Tiranë drejtuese e grupit kriminal
- Hortenca Biçaku 41 vjeçe, anëtare e grupit kriminal
- Artur Kristo 45 vjeç, anëtar i grupit kriminal
- Klevi Banushi 20 vjeç, anëtar i grupit kriminal.
Hetimet
Nga kontrolli i ushtruar në banesat e Brikena Frakullit dhe Artur Kristos policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 6 kilogramë lëndë narkotike heroinë e kokainë, përkatësisht 3 kg 891 gramë lende narkotike e dyshuar heroinë dhe 2 kg e 110 gram lëndë narkotike kokainë, ku një pjesë ishte e ndarë në 1100 doza gati për shitje.
Gjithashtu nga kontrolli u gjetën dhe u sekuestruan dhe shuma të mëdha parash në euro dhe lekë, konkretisht 83.555 euro, 420.000 lekë të rinj, 2 automjete, 2 motoçikleta, 3 peshore elektronike dhe 4 aparate celulare. Grupi që drejtohej nga Brikena Frakulli, e cila siguronte lëndën narkotike në sasi të mëdha dhe më pas furnizonte shpërndarësit në doza.
Po nga hetimet është bërë e mundur që të identifikohet edhe personi që furnizonte me sasi kokaine e heroine Brikena Frakulli, por policia thotë se për arsye hetimi nuk bëjmë me dije të dhëna pasi operacioni është në vijim për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.