Ditët e fundit në media qarkulloi një mesazh, e-mail që Fatmir Xhafaj kishte shkëmbyer për festat e fundvitit me McGonigal, ish-shefin e FBI-së që po përballet me disa akuza në SHBA.
Aludimet për ndërhyrje në reformën në drejtësi nuk reshtën në media, por Xhafaj tha se kjo nuk është e vërtetë duke dhënë versionin e tij.
“Nuk e kam takuar asnjëherë zotin McGonigal. Kam takuar ish-eprorë të tij, tek DEA, etj, por me zotin McGonigal nuk kam pasur asnjë takim dhe komunikim.
Nëse do të ishin krijuar rrethanat do ta kisha takuar. Komunikim im me të ishte për kortezi. Lidhja e McGonigal me reformën në drejtësi nuk është e vërtetë” tha ai.
Xhafaj i dha të drejtë opozitës që kërkon transparencë. “Opozita me të drejtë ka kërkuar transparencë.
Ne duhet të përballemi me këtë dhe të reflektojmë si të përmirësojmë disa gjëra në interesin kombëtar, financimin dhe lobimin. Por nuk bie fare dakord me qëllimet dhe gjuhën e përdorur prej tyre” tha ai.









