Nën reshjet e shiut që filluan sapo mori fjalën, Sali Berisha u betua për betejë të fortë deri në largimin e Edi Ramës nga pushteti.
Poshtë zyrës së tij, në bulevardin përballë Kryeministrisë, kryetari i PD-së tha se misioni i tij do të çlirojë Shqipërinë nga krimi dhe droga.
“Jemi të vendosur për t’i shkurtuar orët dhe ditët kësaj qeverie. Edi Rama faktohet si pushtuesi më i egër i këtij vendi. Edi Rama është armik i miqve tanë në SHBA dhe Europë. Rekrutoi kryezbuluesin e SHBA-së.
Ne jemi sot këtu për t’i thënë se ky revolucion nuk mposhtet nga asgjë. Këta burra dhe gra janë misionarë të pamposhtur. Edhe atëherë të paktë ishin ata që besonin te misioni i studentëve. Edhe sot ka plot që nuk besojnë.
Por marshi i studentëve ishte marshi i lirisë, përmbysi diktaturën. Marshi juaj është marshi i lirisë, do të përmbysë monizmin e bazuar në krimin dhe drogën, vjedhje e plaçkitje” tha ai.









