Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill e ka quajtur rezultat të rëndësishëm të dialogut, dakordsimin për aneksin e marrëveshjes në Ohër.
Për mes një postimi në Twitter, Hill ka shkruar se Serbia e ka përqafuar të ardhmen e saj evropiane dhe një plan të qartë se si të arrijë atje.
“Rezultati më i rëndësishëm nga bisedimet e Ohrit: Serbia ka përqafuar të ardhmen e saj evropiane dhe një plan të qartë se si të arrijë atje – një vendim që kërkon mençuri, integritet dhe guxim. Mbetet shumë punë dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë me ju në çdo hap të rrugës,” ka thënë Hill.
Po ashtu gjatë së dielës zyrtarë të lartë amerikanë kanë mirëpritur sot pajtueshmërinë e Kosovës dhe Serbisë mbi aneksin e zbatimit të planit evropian.
Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Adrienne Watson u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të që të fillojnë zbatimin e detyrimeve të tyre sa më shpejt.
Ndërkohë Bashkimi Evropian e ka quajtur si shumë të suksesshëm takimin e 18 marsit në Ohër.
BE-ja ka thënë se në të palët janë pajtuar për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja.