Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka thënë se ka refuzuar të nënshkruajë dje në Ohër çdo marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën për arsye parimore.
“Serbia është ligjërisht shtet i njohur ndërkombëtarisht, Kosova për mua nuk ka statusin e shtetit të pavarur dhe nuk dua të hyj në marrëveshje ndërkombëtare me “Republikën e Kosovës,” tha Aleksandar Vuçiç në një konferencë për shtyp sot në Beograd.
Ai ka shtuar megjithatë se Serbia e pranon planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën dhe do të punojë drejt zbatimit të tij.
Vuçiç iu referua gjerësisht dispozitës së zbatimit të planit evropian të rënë dakord pas 13 orësh negociatash në Ohër me kryeministrin e Kosovës Abin Kurti dhe përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikën e jashtme, Josep Borrell.
Në këtë dispozitë, përveç angazhimit që të dyja palët do ta zbatojnë plotësisht propozimin evropian, tashmë përmendet konkretisht zbatimi i marrëveshjeve të mëparshme, veçanërisht ajo e vitit 2013 për themelimin e Bashkimit të Komunave Serbe.
Vuçiq deklaroi se dispozita shtesë e angazhon Prishtinën që menjëherë të zbatojë marrëveshjen e vitit 2013.
Gjithashtu, është përcaktuar edhe orari për zbatimin e planit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ku thuhet se për 30 ditë do të bëhet kontroll dhe monitorim.
Komiteti do të themelohet nën kryesimin e BE-së. Gjithashtu përmendet se pas 150 ditësh do të organizohet një konferencë e donatorëve për Serbinë dhe Kosovën, por theksohet se shumat e mbledhura do të jenë në dispozicion pasi Beogradi dhe Prishtina të kenë përfunduar zbatimin e Plani evropian për normalizimin e marrëdhënieve të tyre.
Me rëndësi të veçantë është referenca për rrugën evropiane të Serbisë dhe Kosovës, ku thuhet se secila palë do të vlerësohet veçmas dhe nëse do të ketë vonesa në zbatimin e planit, procesi i integrimeve evropiane do të pezullohet.