Gjyqi i nisur në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është një gjyq kundër UÇK-së, por një gjyq kundër individëve që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Kjo ishte deklarata të cilën Prokurori Special e nënvizoi në mënyrë të veçantë në nisjen e gjyqit në Gjykatën Speciale të Hagës gjatë mëngjesit të së hënës.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetarët e parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm Rexhep Selimi, u deklaruan “krejtësisht të pafajshëm” në nisjen e seancës së parë gjyqësore, e cila duket se do t’i paraprijë një procesi maratonë që mund të zgjasë rreth gjashtë vjet.
Thaçi dhe Veseli ishin të prerë në përgjigjet e tyre, ndërkohë që Veseli shprehu mospajtimin e tij për “vonesën mbi dy-vjeçare të gjykimit paraprak”. Krasniqi nga ana e tij tha dhe ripërsëriti se nuk ka lidhje me asnjë akuzë të parashtruar ndaj tij.
Whiting: Të pandehurit pjesë e zinxhirit komandues
Katër ish-drejtuesit e UÇK-së akuzohen se nga marsi i vitit 1998 e deri në shtator 1999 kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj pakicave etnike – atyre serbe dhe rome – si dhe ndaj rivalëve të tyre politikë që nuk i kanë mbështetur gjatë luftës dhe në qeverinë e formuar pas çlirimit.
Ata akuzohen për përndjekje, trajtim çnjerëzor, vrasje, zhdukje personash etj.