Blegtoria vit pas viti po pëson rënie në Shqipëri si në krerë, edhe në prodhim dhe Qarku i Gjirokastrës është ndër më të prekurit.
Blegtorët thonë se po ulin numrin e krerëve prej kostove të larta të bazës ushqimore, por edhe mungesës së njerëzve në zonat rurale ku më parë mbaheshin tufat e mëdha të bagëtive.
Nga ana tjetër konsumatorët po përballen gjithnjë e më shumë me mungesën e prodhimit vendas dhe me çmime të larta të qumështit dhe nënprodukteve të tij.
Qarku i Gjirokastrës njihet në Shqipëri për mbarështimin e bagëtive të imta dhe cilësinë e lartë të prodhimeve blegtorale. Por vit pas viti numri i krerëve po shënon ulje. Pandeli Kuremeno që mbarështon rreth 150 krerë dele në zonën e Dropullit flet për disa nga vështirësitë.
“Të gjithë blegtorët këtë vit janë në vështirësi. Së pari nga rritja e tmerrshme e bazës ushqimore për bagëtinë, të gjitha janë rritur. Edhe qiratë e tokave që përdoren për kullotë janë rritur. Mund të duket nga jashtë që rritja e çmimit të qumështit nga përpunuesit të jetë e kënaqshme, por nuk është kështu pasi nuk mund të nxjerrësh fitime nga blegtoria me këto kosto që ka një blegtor.”
Ndërsa Krenar Veliu në drejtorinë e Bujqësisë , Gjirokastër e sheh më me optimizën sektorin gjatë këtij viti falë edhe kushteve të mira klimaterike të këtij dimri të butë.
“Qarku me të tre rrethet që përfshin Gjiroakstër,Tepelenë dhe Përmet mbarështon rreth 260 mijë krerë të imta,dele dhe dhi. Dimri i sivjetëm ka qenë i mbarë pasi nuk ka sjellë rreziqe dhe situate e përgjithshme e blegtorisë është e mirë. Blegtoria e qarkut tonë kryesisht dimëron në luginën e Gjirokastrës dhe në kullotat e rrethit të Sarandës dhe pak në rrethin e Vlorës”.