Policia e Tiranës ka arrestuar një 22-vjeçar, i cili i mori telefonin celular një bashkëmoshatareje dhe e kërcënonte atë vazhdimisht, duke i bërë presion.
Po ashtu, mësohet se i riu duke qarkulluar me makinën e tij, ka përplasur edhe dy automjete të tjera dhe një motor, ku për pasojë ka shkaktuar vetëm dëme materiale.
“I mori celularin një shtetaseje dhe e përndiqte atë, vihet në pranga 22-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë në çdo formë të saj, pas kallëzimit të bërë nga një shtetase 22 vjeçe, se një shtetas i kishte marrë aparatin celular dhe e shantazhonte vazhdimisht, për motive të dobëta, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e autorit.
Në vijim të veprimeve është kapur dhe arrestuar shtetasi A. A., 22 vjeç, banues në Tiranë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. A. i kishte marrë aparatin celular, 22-vjeçares, të cilën e përndiqte dhe e shantazhonte vazhdimisht, për motive të dobëta.
Gjithashtu, 22-vjeçari, duke qarkulluar me automjet, ka përplasur dy automjete dhe një motomjet, me pasojë dëme materiale. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 aparate celulare dhe automjeti i 22-vjeçarit. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.