Kina njoftoi se do të dërgojë në Ukrainë dhe vende të tjera, një përfaqësues të posaçëm për të ndërmjetësuar një zgjidhje paqësore të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine, udhëheqësi kinez Xi Jinping dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy zhvilluan dje një bisedë telefonike, bisedë që Kievi e kishte kërkuar prej kohësh.
Mes sulmesh me artileri dhe shkatërrimit të shkaktuar nga trupat ruse në Ukrainën lindore, Kina befasoi botën me njoftimin që bëri të mërkurën.
“Pala kineze do të dërgojë një përfaqësues të posaçëm të qeverisë që mbulon çështjet euroaziatike, për të vizituar Ukrainën dhe vende të tjera, me qëllimin për të zhvilluar një komunikim të thellë me të gjitha palët, për një zgjidhje politike të krizës në Ukrainë”, tha Yu Jun, zyrtar në Ministrinë e Punëve të Jashtme kineze.
Kina bëri disa njoftime publike dje, duke tërhequr vëmendjen ndaj nismës së saj diplomatike lidhur me Ukrainën. Pekini tha se udhëheqësi kinez Xi Jinping kishte zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin ukrainas.
Zoti Zelenskyy, i cili e kishte kërkuar prej kohësh një gjë të tillë, në një njoftim në Twitter i përshëndeti bisedimet.
Në Uashington, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby përshëndeti njoftimet mbi një bisedë telefonike mes dy udhëheqësve. Ai tha se është e rëndësishme që Presidenti Xi dhe zyrtarët e Republikës Popullore të Kinës të njihen me pikëpamjen e Kievit mbi sulmin e paligjshëm e të paprovokuar të Rusisë.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha se Moska sheh përputhje të gjerë me qasjen e Kinës, por pengesa kryesore, sipas saj, janë ato që i quajti, kërkesa jorealiste të Kievit.