Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në shqyrtimin gjyqësor të premten, i akuzuari për krime lufte Çaslav Joliq, u deklarua sërish i pafajshëm.
“Jo, nuk ndihem fajtor”, tha i akuzuari Joliq, pasi që u konsiderua e lexuar aktakuza nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).
Më pas, seanca ka vazhduar me fjalën hyrëse të prokurorit special Ilir Morina, i cili tha se shqyrtimi gjyqësor në fjalë ka të bëjë me trajtim çnjerëzor dhe tortura që i pandehuri Joliq i ka bërë në cilësi të pjesëtarit të Policisë së Serbisë.
Tutje, prokurori Morina tha se nga provat materiale dhe deklarata e dëshmitarëve, do të kuptohet se i pandehuri ka kryer tortura ndaj tre personave Zef Malsisë, Naim Feratit dhe Naxhmendin Currit.
Prokurori Morina tha se do të ftohen dëshmitarë që të dëshmojnë para trupit gjykues atë që kanë përjetuar nga i akuzuari Joliq, duke shtuar se secili dëshmitar do të identifikojë qartë të akuzuarin Joliq se ai ka qenë kryerësi i veprës penale me të cilën ngarkohet nga PSRK-ja.
Prokurori Morina po ashtu theksoi se si njëri nga të dëmtuarit iu kishte dashur 2 muaj që të i shërohen plagët e marra nga tash i akuzuari Joliq.
Në fund të fjalës hyrëse, prokurori Morina tha se në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, pas administrimit të gjitha provave materiale, do të jetë e bindur gjykata se i akuzuari Jolic ka kryer veprat penale.
“Mbetem me bindjen se pas përfundimit të këtij shqyrtimi gjyqësor dhe pas administrimit të të gjitha provave të propozuara me këtë aktakuzë, trupi gjykues do të ketë bindjen se i pandehuri është fajtor”, tha prokurori Morina.