Në kuadër të një aktiviteti parazgjedhor, Rexhep Taip Erdogan bëri të ditur se “avioni luftarak kombëtar i Turqisë” do të quhet KAAN.
Në vazhdën e polemikave për sëmundjen e tij që u bë objekt i debatit global, presidenti turk postoi një foto në llogarinë e tij në Twitter ku shfaqej i veshur me një xhaketë piloti dhe syze dielli duke u ngjitur në kabinën e KAAN-it.
Erdogan nuk hezitoi t’i dërgojë Greqisë një mesazh të ri paralajmërues.
“Ne do të vazhdojmë të shqetësojmë ata në anën tjetër të ujërave.”
Turqia është tani në çdo “fushë” – në tokë, në det dhe nën ujë, në ajër dhe në hapësirë, tha Erdogan gjatë aktivitetit “Century of the Future” i organizuar nga Turkish Aerospace Industries (TAI) në Ankara për prezantimin e avionit.
Avioni i gjeneratës së pestë, KAAN, u zhvillua nga TAI për të zëvendësuar flotën e vjetër të F-16-ve, theksoi ai, në vazhdën e pamundësisë së turqve për të marrë miratimin e Kongresit për pajisjet e përmirësimit.
“Me këtë avion, Turqia do të bëhet një nga pesë vendet që kanë këtë lloj teknologjie”, tha Erdogan.
Avioni, i nisur si projekt në vitin 2016, është 21 metra i gjatë dhe mund të arrijë një shpejtësi maksimale prej 1.8 mach falë motorëve të tij të dyfishtë, të cilët mund të prodhojnë 13,000 kg shtytje secili.
“Emri i tij është KAAN, shpata e tij qoftë e mprehtë!” komentoi industria turke në postimin e saj.
KAAN, si një avion i gjeneratës së pestë, sipas TAI, ka shumë karakteristika të avancuara, të tilla si zbulimi i dëmeve luftarake, zbulueshmëria e ulët, shënjestrimi i saktë dhe ruajtja e brendshme e armëve.