Në fund të muajit Prill, Edi Rama mblodhi Këshillin Kombëtar të Territorit duke firmosur një dyzinë vendimesh. 40 leje ndërtimi për kulla në Tiranë, HEC-e, fshatra turistikë e bujtina. Por mes vendimeve të shumta, vëmendja kryesore ishte në Tiranë, kush janë biznesmenët që qëndrojnë pas lejeve për ndërtimet e gradaçelave.
Pjesa më e madhe rezultoi se kishin përfituar nga një ose dy leje, por njëri prej tyre kishte tre të tilla. Bëhet fjalë për shoqërinë ”Forever Construction” sh.p.k. Por kush është pronari i saj? Nga një kërkim i thjeshtë në QKB rezulton se pronari i ”Forever Construction” sh.p.k. është biznesmeni i njohur i ndërtimit Lefter Sota.
Gjashtë vite më parë ishte në qendër të ciklonit, pasi djali i tij, Orest Sota u ndalua në Elbasan dhe gjatë kontrollit në makinën e tij policia gjeti 800 mijë euro cash dhe dy patenta lundrimi në emër të Saimir Tahirit, ish-ministrit të Brendshëm që ndodhet pas hekurave i dënuar për shpërdorim detyre.
Megjithatë, të rikthehemi te lejet që ka përfituar. Nga vendimet rezulton se Lefter Sota ka përfituar dy leje ndërtimi, një për ndërtimin e godinës së banimit dhe shërbimeve ““Manhattan I” pranë Rrugës “Asim Vokshi” dhe “Don Bosko”, në Bashkinë Tiranë” dhe e dyta bën fjalë për një “objekt me funksion të përzier, shërbim, hoteleri dhe rezidencial” me vendndodhje në Rrugën “Brigada e VIII”, Tiranë. Por jo vetëm kaq. Biznesmeni Sota ka përfituar edhe një leje zhvillimi për një kompleks rezidencial dhe shërbimi të quajtur “Tirana Lana Riverside Residences”. Kulla me kate pa fund do të ndërtohet te ish-UET-ja.
Në listën e vendimeve nuk jepen detaje për katet që do të kenë këto objekte por teksa disa janë ndërtesa me lartësi mesatare që nuk i klasifikon si kulla, të tjerat që nga emërtimi që kanë në projekt duket se janë të destinuara si të tilla. Nesër dhe në vazhdim “5Pyetjet.al” do të publikojë emrat e përfituesve të tjerë nga vendimet e KKT-së që drejtohet nga dora vetë, Edi Rama.
VENDIMET
Leje Ndërtimi për objektin: “Manhattan I – Godinë banimi dhe shërbimi, me vendndodhje pranë Rrugës “Asim Vokshi” dhe “Don Bosko”, në Bashkinë Tiranë”, me subjekt zhvillues shoqërinë ”Forever Construction” sh.p.k.
Leje Ndërtimi për objektin: “Objekt me funksion të përzier, shërbim, hoteleri dhe rezidencial”, me vendndodhje në Rrugën “Brigada e VIII”, në Bashkinë Tiranë, me subjekt zhvillues shoqerinë “Forever Construction” sh.p.k.
Leje Zhvillimi për objektin: “Kompleks rezidencial dhe shërbimi “Tirana Lana Riverside Residences”, me vendndodhje në bulevardin Gjergj Fishta, në Bashkinë Tiranë”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Forever Construction” sh.p.k.