Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar ditën e sotme një takim me të dërguarin e posaçëm të Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Një njoftimi e publikuar nga Presidenca e Kosovës është bërë e ditur se Osmani dhe Sarrazin kanë diskutuar rreth ngjarjeve të fundit të ndodhura në veri të vendit.
“Presidentja ka theksuar se veprimet kriminale në veri të orkestruara nga struktura ilegale të mbështetura nga Beogradi, kanë për qëllim moslejimin e kryetarëve të ri të komunave në veri të vendit të ushtrojnë detyrat sipas ligjit dhe kushtetutës dhe instrumentalizimin e popullatës lokale serbe për të krijuar vakuum institucional, klimë të përgjithshme frike dhe pasigurie.
Pavarësisht këtyre përpjekjeve, Kosova ka ndërmarrë veprime muajt e fundit për të shtensionuar situatën pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave në veri të vendit në nëntor te vitit të kaluar dhe proceset demokratike e ligjore kanë vazhduar në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Osmani ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së aleatëve ndërkombëtar dhe koordinimit të vazhdueshëm me ta në përpjekje për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm.
“Presidentja Osmani ka përsëritur se veprimet e Policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale e grupeve kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim”, vijon reagimi.