-sidi education-spot_img
14.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Viktor Malaj: Kosova dhe Perëndimi, a ka të drejtë Albin Kurti?

Kryesoret

Aktorët ndërkombëtarë duhet të ndalojnë së sulmuari zyrtarët e zgjedhur në mënyrë demokratike që të vendosen në zyrat e tyre në veri të Kosovës. Për më tepër, kur ata qëndrojnë të heshtur përballë militantëve të mbështetur e armatosur serbë, të cilët vazhdojnë të minojnë stabilitetin në veri të Kosovës” – Allisha Kierns, kryetare e Komisionit të Politikës së Jashtme në Parlamentin Britanik…

Ngjarjet më të fundit në veri të Kosovës kanë qenë ngjarje të paralajmëruara dhe të pritura për të gjithë ata që kanë ndjekur me vëmendje ngjarjet në Kosovë dhe qëndrimet e botës lidhur me to qysh kur u shpall pavarësia e saj.

Kur bota perëndimore ndërhyri me forcën e NATO-s në vitin 1999 për t’i dhënë fund sundimit serb dhe gjenocidit ndaj popullit shqiptar të Kosovës, dhe kur po kjo botë, në shumicën e vet, pranoi shpalljen e pavarësisë dhe legjitimimin e saj nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, pak kujt i ka shkuar mendja se po kjo botë perëndimore do të lëkundej me dekada të tëra në përkrahjen praktike dhe reale për konstituimin e një shteti të pavarur.

Për ata që shohin pak më larg se hunda e tyre, edhe ndërhyrja e NATO-s, por edhe pranimet e pavarësisë së Kosovës nga shtetet perëndimore, përpara se të jenë reagime humanitare dhe në mbrojtje të së drejtës së popujve për vetëvendosje, kanë qenë dhe janë llogari politike e gjeostrategjike ku në plan të parë janë interesat afatgjata të vetë atyre shteteve.

Mbi bazën e këtyre llogaritjeve si dhe të ngjarjeve e raporteve politike ndërkombëtare janë shfaqur edhe reagimet e qëndrimet e kancelarive perëndimore lidhur me ngjarjet në Kosovë. Sikur të mos ekzistonte mospajtimi serb dhe rus me pavarësinë e Kosovës, ky vend do të shfaqte probleme ekonomike dhe të funksionimit të shtetit të së drejtës, por nuk do të kishte probleme destabilizuese të herëpashershme, siç i ka prej gati 25 vjetësh.

Në qëndrimet perëndimore, sidomos evropiane, në periudhën pas shpalljes së pavarësisë janë vënë re qëndrime të lëkundura, jo të përbashkëta (unike) nga shtetet anëtare të NATO-s dhe, jo rrallë, të dëmshme kundrejt konsolidimit të shtetit të pavarur të Kosovës.

Lidhjet dhe ndikimet e vjetra e të reja me Rusinë, si dhe dëshira për të mos lejuar që Serbia të bjerë plotësisht në prehrin rus kanë imponuar sjellje dhe qëndrime perëndimore dukshëm të njëanshme, të padrejta dhe sfiduese ndaj së drejtës ndërkombëtare, të sotmes dhe të ardhmes së popullit të Kosovës.

Populli serb dhe veçanërisht elitat e tij politike janë shpirtërisht dhe politikisht pengje të doktrinave politike të krijuara dhe zbatuara atje prej gati dy shekujsh, duke filluar me Naçertanjen dhe vazhduar me disa të tjera të mëvonshme. Shumica e elitave politike serbe kanë lindur në “prehrin” rus, janë mëkuar me “ninullat” politike ruse dhe do të rrinë në atë prehër sa të jenë në këtë botë.

Madje, edhe sikur të duan të largohen nga ai prehër dhe të ulen në kolltukët e së drejtës ndërkombëtare, ata e kanë të vështirë ngaqë e kanë edukuar popullin e tyre për gati dy shekuj me idenë se janë popull i veçantë në Ballkan, se kanë të drejta hyjnore për sundimin e popujve të tjerë dhe rrëmbimin e territoreve të tyre, se Rusia është vëllai i madh dhe pa të s’ka Serbi.

Kush përpiqet të lirohet nga prangat e vjetra të serbocentrizmit dhe shovinizmit e ka thuajse të pamundur të fitojë shumicën e votave për të qeverisur Serbinë. Pra, është një rreth i mbyllur që kërkon shumë kohë të hapet pasi edhe brezat më të rinj janë edukuar me gënjeshtrat e mbrujtura prej shumë motesh.

Edhe një serb i ri dhe kampion bote në tenis si Novak Gjokoviç, që mendohet se duhet të ishte më i kultivuar, sepse është më i shëtitur, arrin deri aty sa që në ndeshje sportive ndërkombëtare të shkruaj në ekranet e kamerave televizive se “Kosova është zemra e Serbisë, është kalaja jonë”.

Qëndrimet perëndimore të njëanshme dhe të padrejta kanë shkuar shumë larg, duke arritur deri aty sa të impononin krijimin e një gjykate fantazmë ndërkombëtare, të maskuar si kosovare, dhe të akuzojnë drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, sepse gjatë luftës çlirimtare na qenkan burgosur apo vrarë disa persona, jo nga të akuzuarit dhe as me urdhër të tyre, por sepse të akuzuarit paskan pasur dijeni dhe s’i kanë parandaluar. Ndërkohë, ministrin e informacionit të qeverisë së Milosheviçit, sot President i Serbisë, e presin e përcjellin në takime me rrahje krahësh, megjithëse ai, dikur, ishte plotësisht i informuar për krimet dhe masakrat serbe në Kosovë dhe, jo vetëm si dënoi kurrë ato, por i mohon ose justifikon sa herë i jepet rasti.

Qëndrimet e kancelarive perëndimore ndaj ngjarjeve më të fundit në veri të Kosovës janë të padrejta, të dëmshme dhe, madje, të turpshme. Nëse ke pranuar të bëhen zgjedhje vendore edhe pa pjesëmarrjen e shumicës së votuesve dhe ke shpallur pranimin e tyre, nuk mundet dhe nuk duhet kurrsesi të dalësh në krah të atyre që pengojnë me dhunë konstituimin e pushtetit vendor dhe vendosjen në zyrat komunale (bashkiake) të njerëzve të zgjedhur demokratisht për të drejtuar ato komuna.

Qëndrimet mbeten të padrejta edhe atëherë kur maskohen me shprehjet e padenja se “Për situatën në veri të Kosovës janë përgjegjëse të dyja palët” (Peter Stano- zëdhënës i BE-së).

Si qëndrimet e BE-së që “dënon ashpër përleshjet midis policisë së Kosovës dhe demonstruesve në veri të Kosovës, të iniciuara nga tentativa e kryetarëve të sapozgjedhur për të hyrë në ndërtesat komunale”, ashtu edhe qëndrimi amerikan, se: “Dënojmë fuqishëm veprimet e qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po rrisin destabilitetin. I bëjmë thirrje kryeministrit Kurti të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të përqendrohet në dialogun e ndërmjetësuar nga BE”, janë të padrejta dhe jo të dobishme në planin afatgjatë.

Pyetjet që lindin natyrshëm janë: Cilët janë nismëtarët dhe shkaktarët e dhunës, ata qytetarë të xhindosur serbë të veriut të Kosovës dhe mercenarët serbë të ardhur nga Serbia që përpiqen të pengojnë hyrjen në zyrat bashkiake të drejtuesve të zgjedhur me votime të lira, apo policia e Kosovës që shkon atje për të penguar veprimet antikushtetuese të këtyre bandave të frymëzuara e mbështetura nga Serbia e cila deklaron se: “Serbët janë grumbulluar për të mbrojtur ndërtesat e tyre” (A. Vuçiç) ?!

Nga kush do t’i mbrojnë serbët e Kosovës “ndërtesat e tyre”?! Nga qeveria e vendit, pjesë e të cilit janë?! Si mund t’i lejohet dikujt që, vullnetarisht abstenon nga e drejta e zgjedhjeve e votimeve, të përcaktojë nëpërmjet dhunës se kush duhet ta drejtojë pushtetin vendor, kur i kishte të gjitha kushtet dhe mundësitë ta përcaktonte nëpërmjet zgjedhjeve të lira?!

Pse zgjedhjet vendore në Shqipëri në vitin 2019 u pranuan si normale nga bashkësia ndërkombëtare, edhe pse opozita i braktisi ato, ndërsa zgjedhjet vendore në veri të Kosovës, edhe pse u pranuan fillimisht, tani vihen në dyshim?!

Një qëndrim mendjelehtë dhe të padenjë mbajti Raportuesja për Kosovën në PE, zonja Viola von Cramon e cila pohoi se: “Ne nuk mundet thjesht të zbatojmë të drejtën për të hyrë në një ndërtesë komunale, edhe nëse de jure keni të drejtë të bëni një gjë të tillë. Por, de facto, nuk besoj se ka legjitimimin për të bërë diçka të tillë”.

Kjo lojë fjalësh që kërkon të delegjitimojë sovranitetin e qeverisë së Kosovës, e zgjedhur në mënyrë demokratike nga populli i vet, si dhe legjitimitetin e të zgjedhurve vendor, për të llastuar një grusht mendjesh të thartuara të pakicës serbe në Kosovë, për të marrë me të mirë regjimin shovinist, destabilizues të Serbisë dhe për të krijuar një gjendje të rreme dhe të përkohshme të qetësisë në rajon, nuk i shërben as të drejtës dhe as paqes. Pasi pranon se drejtuesit politikë të Listës Serbe nuk pranuan ta takonin, ajo shprehet se “do të isha shumë e lumtur të takohesha me ta “.

Ndërsa tregon lumturinë që do t’i shkaktonte takimi me nxitësit e dhunës dhe veglat e Beogradit në Kosovë, zonja von Cramon pyet policët e Kosovës të ndodhur në veri: Çfarë kërkoni ju këtu ? A do t’i pyeste kjo zonjë policët gjermanë, francezë apo spanjollë në këtë mënyrë po t’i takonte në ndonjë qytet ku kishte protesta të dhunshme dhe sulme kundër institucioneve dhe policisë ?!

T’i kërkosh një populli dhe qeverisjeve të tij të punojnë seriozisht për vendosjen e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës dhe, nga ana tjetër, të pohosh se këto qeverisje nuk kanë legjitimitet për të materializuar në praktikë çfarë është e ligjshme (juridikisht e drejtë), do të thotë të kundërshtosh veten dhe praktikisht të diskreditosh pretendimet dhe këshillat e tua teorike.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Stoltenberg, në vend që t’i kërkonte llogari shtetit serb për përqendrimin e ushtrisë pranë kufijve të një shteti sovran në mes të Evropës, i drejtohet qeverisë së shtetit viktimë, duke thënë: “Prishtina duhet të depërshkallëzojë dhe të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm destabilizues”.

Përgjigjen se kush është destabilizues e mori nga parlamentarja angleze, e cituar në krye të këtij shkrimi. Por të bën përshtypje të keqe fakti se si është e mundur që kjo bashkësi ndërkombëtare, të cilës i detyrohemi shumë për çështjen kosovare, të besojë me naivitet se duke i bërë lëshime të padrejta dhe të njëpasnjëshme Serbisë, këtij shteti nismëtar dhe këmbëngulës për të krijuar në mënyrë të pandalshme ngjarje që e mbajnë shtetin e Kosovës të paqëndrueshëm, do u siguruaka rendi ndërkombëtar afatgjatë në Evropë e Ballkan me një Kosovë të paqëndrueshme?

Edhe thirrjet drejtuar qeverisë së Kosovës për të marrë pjesë në bisedime me Serbinë, thirrje që përqendrohen në përshpejtimin e krijimit të Asosacionit të Komunave Serbe në Kosovë, janë të njëanshme dhe thjesht ledhatuese për Serbinë. Madje, edhe problemet dhe proceset zgjedhore demokratike brenda shtetit të Kosovës kërkohet të zëvendësohen me “dialogun midis palëve”, me një shtet tjetër, pra me Serbinë.

Nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet në Ballkan për aq kohë sa një shtet nuk njeh tjetrin, që bën çmos për destabilizimin e tij dhe e mban në kushtetutën e vet shtetin tjetër (Kosovën) si pjesë të vet, domethënë i legjitimon vetes të drejtën që, sapo t’i krijohen rrethanat e mundshme ta marrë atë me dhunë. Ky shtet është shkaktari i vërtetë dhe i njëanshëm i destabilitetit dhe jo ata që “de jure kanë të drejtë”.

Nga ana tjetër, kundërshtarët politikë të Albin Kurtit në Kosovë dhe disa media në Kosovë e Shqipëri iu vërsulën Kurtit me akuza të turpshme dhe, madje, duke e shpallur “antiamerikan”, “nacional-komunist”, “Milosheviçi ynë” etj., duke i kërkuar dorëheqjen dhe duke “vajtuar” faktin e rremë se gjoja Kurti po na prish me SHBA dhe po shkakton largimin e saj nga Kosova.

Prania e SHBA-së dhe BE-së në Kosovë nuk përcaktohen nga qëndrimet dhe marrëdhëniet e qeverive kosovare me to në një rrethanë të caktuar. Këto shtete mund të krijojnë pakënaqësi të përkohshme me qëndrimet e tyre për ngjarje të veçanta, ose vetë ato mund të ftohen përkohësisht me qeverisjet kosovare, por prania e tyre në Kosovë dhe mbrojtja e Kosovës prej tyre mbeten pjesë e programeve dhe qëllimeve të tyre strategjike.

Në këto kushte, vajtuesit e prishjes së marrëdhënieve me SHBA dhe BE do të ishte më mirë të përkrahnin veprimet qeverisëse kosovare që ndihmojnë konstituimin e pushteteve qendrore e vendor atje si dhe dobësimin e ndikimeve serbe e ruse. Qeveritë perëndimore, shumica, e duan Kosovën shtet sovran e të pavarur, por, njëkohësisht, e trajtojnë atë si një “fshat i dorës së fundit” kur vjen puna për t’u vënë në peshore interesat e tyre më të mëdha gjeostrategjike.

Edhe në vitet ’90, fillimisht disa vende perëndimore e konsideruan UÇK-në ” organizatë terroriste ” por, pastaj u bënë aleatët e saj kryesor në çlirimin e vendit nga pushtuesit dhe dhunuesit e Beogradit.

Për aq kohë sa ato t’i kërkojnë Kosovës sjellje dhe veprime të cilat nuk i lejojnë në vendet e tyre, as Kosova nuk bëhet plotësisht shtet i pavarur dhe as stabiliteti rajonal nuk sigurohet. Për aq kohë sa agresori, faktori i vërtetë destabilizues në rajon, të ledhatohet dhe viktima të trajtohet si një fëmijë zevzek dhe jo si një qytetar me dinjitet, qetësia, paqja dhe stabiliteti do të jenë të rreme në Ballkan./ DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit