Në Shqipëri fenomeni i fëmijëve të pashoqëruar azilkërkues në vendet e BE-së, vijon të mbetet shqetësim për autoritetet dhe studiuesit e zhvillimeve shoqërore. Sipas të dhënave të Eurostat në 10 vitet e fundit, 2120 fëmijë të pashoqëruar kanë kërkuar azil në vendet e BE.
Kjo e bën Shqipërinë vendin e vetëm europian, sipas ekspertëve, me një numër kaq të lartë të fëmijëve emigrantë të pashoqëruar nga prindërit.
Arsyet e largimit nga vendi lidhen kryesisht me mungesën e perspektivës për të ardhmen.
Autoritetet njoftojnë përmirësim të politikave sociale dhe ndërgjegjësuese me familjet me qëllim parandalimin e këtij fenomeni, që i ekspozon fëmijët përballë rreziqeve si përdorimi i tyre nga grupe kriminale apo trafikimi.
Shqipëria vijon të përballet me një prej fenomeneve më shqetësuese të viteve të tranzicionit, atë të emigracionit. Studiuesit veçojnë në të, elementin e azilkërkuesve në vendet e BE, që sipas tyre meriton vëmendje.
Që prej vitit 2012 sipas të dhënave të Eurostat, në vendet e BE, kanë kërkuar azil mbi 230 mijë shtetas shqiptarë, mes tyre 66 mijë e 800 fëmijë, ose rreth 28.5%, pjesa më e madhe nën 14 vjeç. Këto shifra në lidhje me fëmijët emigrantë e vendosin Shqipërinë në vendin e pestë, menjëherë pas vendeve që kanë njohur luftëra e konflikte si Afganistani, Siria apo Iraku.
Sipas të dhënave kjo prirje vazhdoi edhe në vitin 2022. 11 600 shtetas shqiptarë kërkuan azil në vendet e BE-së, 34% e tyre fëmijë.
Por për studiuesit fytyra më e trishtuar e këtij e emigracioni është ajo e fëmijëve të pashoqëruar.
Sipas Eurostat 2 120 fëmijë të pashoqëruar nga Shqipëria kanë kërkuar azil në vendet e BE-së, për periudhën 2012-2022. Kjo sipas studiuesve e bën Shqipërinë vendin e vetëm europian me një numër kaq të lartë të fëmijëve emigrantë të pashoqëruar nga familja./VOA
Artikulli i plotë.