Çmimet e produkteve bujqësore po rriten me shpejtësi kryesisht për shkak të problematikës që po kalon prodhimi vendas, por edhe rritjes së çmimeve të produkteve të importit.
INSTAT raportoi se indeksi i çmimeve bujqësore shënoi rritje vjetore me 11,1% në vitin 2022, por rritjen më të lartë e kishte qumështi i lopës me 30 për qind dhe drithërat me 37%. Çmimet e prodhimeve blegtorale në përgjithësi në vitin 2022 ishin 22% më të larta se në vitin 2021.
Nga produktet bujqësore pas drithërave, rritje më të lartë e kishin bimët foragjere me 18%, bimët industriale me 16.7%, patatet me 16.3%, ndërkohë që prodhimet e ullirit si vaji dhe fruti shënuan rënie vjetore të çmimeve respektivisht me 6 dhe 2.2%.
Nga ana tjetër të gjitha produktet blegtorale shënuan rritje me ritme dyshifrore. Çmimet e mishit u rriten me 16%, ku mishi i të imtave shënoi rritjen më të madhe me 22%.
Gjithashtu çmimet e qumështit në të gjitha kategoritë pësuan rritja me nga 20-30%. Çmimi i vezëve gjithashtu shënoi rritje me 26% si rrjedhojë e dëmeve që krijoi gripi i pulave në pularitë më të mëdha të vendit.
INSTAT raportoi se indekset e çmimeve të prodhimeve bujqësore llogariten bazuar në standardet dhe rregullat e përshkuara në Manualin e Çmimeve të Produkteve Bujqësore të Eurostat.
Çmimet mblidhen nga Anketa Mujore për Produktet Bujqësore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Mbledhja e të dhënave kryhet pranë fermave, tregjeve të gjësë së gjallë, tregjeve të shumicës dhe vende të tjera ku prodhimet bujqësore mund të grumbullohen./Monitor
Artikulli i plotë këtu.