Ish-kryeministri, Sali Berisha pas vendimit të KQZ për vendosjen e datës 23 korrik si data për zgjedhjet në Rrogozhinë ka bërë thirrje demokratëve dhe qytetarëve të kësaj bashkie që të mbrojnë fitoren e zgjedhjeve të 14 majit, e cila votoi për Shkëlqim Hoxhën, por që në mënyrë absurde u rrëzua nga vendimi i KAS dhe Kolegjit Zgjedhor.
Në Bashkinë e Rrogozhinës zgjedhjet do të përsëriten pasi institucionet e administrimit të votave pasi konstatuan parregullsinë e kësaj kutie nuk e nxorën atë të pavlefshme, por shpallën përsëritje të zgjedhjeve në të gjithë Bashkinë.
Berisha shprehu mirënjohje për të gjithë ata që votuan për ndryshimin në Rrogozhinë në zgjedhjet e 14 majit si dhe për kandidatin Shkëlqim Hoxha.
Berisha u shpreh se përballë qytetarëve dhe opozitës është makineria e një shteti e cila bën gjithçka për tjetërsimin e votës, ndaj kërkohet shumëfishim i përpjekjeve për të mbrojtur fitoren.
Berisha kërkoi një punë serioze me të gjithë votuesit për t’i afruar ata në kutinë e votimit.