Presidenti Joe Biden mbrojti të premten vendimin ta furnizuar Ukrainën me bomba thërrmuese, një veprim që administrata e tij tha se ishte kyç për luftën dhe i mbështetur nga premtimi i Ukrainës për t’i përdorur me kujdes këto bomba të debatueshme.
Vendimi vjen në prag të samitit të NATO-s në Lituani, ku Presidenti Biden ka të ngjarë të përballet me pyetje nga aleatët se pse Shtetet e Bashkuara po i dërgojnë Ukrainës armë, që janë të ndaluara nga më shumë se dy të tretat e vendeve anëtare të aleancës, sepse ato shkaktojnë shumë viktima civile.
“Më mori pak kohë që të bindesha për ta bërë këtë”, tha presidenti Biden në një intervistë për rrjetin CNN. Ai shtoi se në fund pranoi rekomandimin e Departamentit të Mbrojtjes për ta furnizuar Kievin me këtë lloj municioni dhe e diskutoi çështjen me aleatët dhe me ligjvënësit në Kongres. Ai tha se “ukrainasve po u mbarojnë municionet” dhe bombat thërrmuese do të ofrojnë një zgjidhje të përkohshme për të ndihmuar në ndalimin e tankeve ruse.
Bombat thërrmuese janë pjesë e një pakete të re ndihmash ushtarake prej 800 milionë dollarësh për Ukrainën. Vendimi vjen pavarësisht shqetësimeve të përhapura se këto lloje bombash mund të shkaktojnë viktima civile.
Pentagoni do të ofrojë municione që kanë një “normë pashpërthyeshmërie” të reduktuar, që do të thotë se do të ketë shumë më pak raunde të pashpërthyera bombash që mund të rezultojnë në vdekje të paqëllimshme civile. Bombat thërrmuese hapen në ajër për të goditur disa objektiva në të njëjtën kohë.