Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministri i Financave, Hekuran Murati u intervistuan nga prokuroria për të dhënë versionin e tyre për dhunën që ndodhi gjatë të enjtes në Kuvend. Ftesës së Prokurorisë për të dëshmuar nuk i është përgjigjur deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.
Klan Kosova, duke cituar disa burime pranë Prokurorisë, raporton se Bislimi është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, ndërsa Murati si i dëmtuar. Gjithashtu thekson se ftesa për marrje në pyetje, përveç Lushtakut, i është dërguar edhe deputetit Bekim Haxhiu, të dy në cilësinë e të dyshuarve. Por asnjëri prej tyre nuk është paraqitur në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
Sherri masiv në sallën e parlamentit nisi kur në foltore po qëndronte kryeministri Albin Kurti. Fillimisht zëvendëskryeministri Bislimi hoqi një imazh tallës për shefin e qeverisë të ngjitur pranë pankartës me mbishkrimin në serbisht “Zdravo”, që nxiti reagimin e deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku.
Ky i fundit lëshoi ujë në drejtim të Kurtit, por edhe Bislimit. Zëvendëskryeministri reagoi duke lëshuar një shishe në drejtim të tij, duke bërë që të shpërthente një valë dhune ku u përfshinë deputetë të shumtë. Në pamje shihet teksa goditen me grushte Bislimi dhe ministri i financave Hekuran Murati, por edhe ligjvënës të opozitës. Pamjet bënë xhiron e botës.