Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka bërë një reagim në profilin e tij në Facebook në lidhje me situatën e zjarreve në Shqipëri, ku thotë se aktualisht janë 5 vatra aktive.
Peleshi bën me dije se për shuarjen e tyre janë angazhuar 144 efektivë të Forcave të Armatosura,13 mjete, 3 zjarrfikëse dhe helikopteri Cougar.
Gjithashtu ai bën një panoramë të përgjithshme të situatës për çdo zonë të prekur nga zjarret.
“Po punohet me intensitet për mbajtjen nën kontroll të vatrave të zjarrit në fshatrat Peshtan Plyk, Kraps,Kreshpan, njësia administrative Frakull.
Ndërsa u kërkua ndërhyrja e helikopterit në pyllin me pisha në fshatin Gjorgoz, pasi ndërhyrja me mjete dhe forca nga terreni është e pamundur.
Po punohet ndërkaq edhe në një vatër zjarri në fshatin Hekal, bashkia Mallakastër. Po vijon gjithashtu operacioni për kapsulimin e vatrave në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane, në bashkinë Vlorë.
Është bërë e munduar shuarja e vatrës së zjarrit në fshatin Skrevan, bashkia Dimal, ku aktualisht ka vetëm prezencë tymi. Situata është nën kontroll dhe zjarri po shkon drejt izolimit të plotë në malin e Gjallicës, njësia administrative Shtiqën, bashkia Kukës,” tregon ministri.