Ish-presidenti Donald Trump ka mbërritur në gjykatën federale në Uashington, DC, për t’iu përgjigjur akuzave se ai ka punuar për të përmbysur zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Ish-presidenti republikan do të paraqitet në një gjykatë federale jo shumë larg ndërtesës së Kapitolit, ku mbështetësit e tij sulmuan në përpjekje për të bllokuar transferimin paqësor të pushtetit te demokrati Joe Biden.
Zoti Trump udhëtoi nga qyteti Bedminster, në Nju Xhersi, drejt Uashingtonit, për t’u paraqitur në gjykatë. Seanca në ngarkim të ish presidentit pritet të nisë në orën 16.00 me orën lokale në Uashington.
Pas mbërritjes në Gjykatë, zoti Trump do të vihet nën arrest dhe pritet t’i nënshtrohet procedurave ligjore, si marrja e shenjave të gishtërinjve.
Pritet që zoti Tump të deklarojë se është i pafajshëm për akuzat se kishte bërë komplot për të shkelur të drejtën e amerikanëve për të votuar, komplot kundër qeverisë, pengim të një procesi zyrtar dhe komplot për të penguar një procedurë zyrtare.
Ai pritet të lihet i lirë në pritje të gjyqit.
Në aktpadinë prej 45 faqesh, të bërë publike të martën, prokurorët e udhëhequr nën drejtimin e prokurorit të posaçëm Jack Smith, e akuzojnë ish-presidentin se donte të sabotonte demokracinë, duke dashur të përmbysë rezultatin e zgjedhjeve.
Çështjen ndaj ish-presidentit do ta gjykojë gjykatësja federale, Tanya Chutkan, që njihet si një nga ndëshkueset më të ashpra të personave që sulmuan Kapitolin. Megjithatë seancën e sotme për paraqitjen e akuzave e drejton, një gjykatëse tjetër, Moxila Upadhyaya./VOA
Artikulli i plotë këtu.