“Emerging Europe” është media e radhës ndërkombëtare që shkruan për Shqipërinë dhe bukuritë e saj natyrore që nuk duhen humbur.
Kjo media i bën jehonë 5 plazheve të jugut të vendit pak të njohura për të huajt, që i konsideron si mrekulli natyrore e që ofrojnë përvoja unike dhe kujtime të paharrueshme larg turizmit masiv.
E nis me plazhin e Gjipesë, që e përshkruan si parajsë për adhuruesit e natyrës, me pamje piktoreske. Një gji i veçuar që arrihet vetëm me varkë ose më këmbë, që ofron ujëra të kristaltë dhe një peizazh të paprekur, mes shkëmbinjve.
Pas tij renditet plazhi i Ksamilit, një thesar që nuk është më i fshehur, me rërën e bardhë dhe ujërat e kristaltë, ku plazhi mund të bëhet edhe në mjedise të izoluar në 4 ishuj të paprekur që arrihen edhe me not.
Eksperiencë autentike, sipas “Emerging Europe” ofron edhe plazhi i Gjirit të Akuariumit. Bregdeti i këtij plazhi ofron një shtrirje të paprekur me peizazhe spektakolare, me ujëra të pastër kristal të rrethuar nga ullishte dhe selvi.
Për Jalën, “Emerging Europe” shkruan se plazhi me një bukuri të paprekur ofron një ndjenjë qetësie që rrallë gjendet në pikat më të njohura turistike, me një sfond pyjesh të dendur me pisha dhe kodra piktoreske.
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe Palasës, që përshkruhet si parajsë e vërtetë, me një plazh të rrethuar nga malet me bimësi të dendur dhe që ofron një përzierje befasuese të peizazheve të thyer dhe ujërave me një ngjyrë blu të thellë.
Artikulli i plotë këtu.