Pas dy ditëve në flakë dhe tym që mbuloi gjithë qytetin, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi njofton mëngjesin e sotëm se zjarri tek vendgrumbullimi i plehrave në inceneratorin e Elbasanit është shuar. Shkaku ende nuk dihet, si morën flakë plehrat në një vend që konsiderohet se ruhet dhe monitorohet.
“Të shtata vatrat e zjarrit që ditën e djeshme përfshinë zona të ndryshme të vendit janë shuar dhe aktualisht nuk kemi asnjë vatër aktive në vend, pavarësisht temperaturave të larta. Në fshatin Krastë, në bashkinë e Krujës, të gjitha vatrat që ishin aktive janë shuar.
Puna intensive dhe angazhimi maksimal bëri të mundur shuarjen përfundimtare të flakëve edhe në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane, në Elbasan. Situata po monitorohet nga forcat e zjarrfikëses së bashkisë së këtij qyteti. Të gjithë strukturat e mbrojtjes civile në nivel vendor dhe qendror mbeten në gatishmëri të plotë” shkruan ai.