Të dielën në stadiumin “Air Albania” do të luhet sfida Shqipëri – Poloni e vlefshme për kualifikimin në Euro 2024.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka mbajtur një takim me strukturat e policisë së shtetit ku ka kërkuar angazhim maksimal për të shmangur çdo ngjarje dhune para dhe pas ndeshjes.
Ai nënvizoi nevojën për koordinim të mirë të të gjithë strukturave të policisë.
“Na duhet një nivel tjetër sigurie në stadiume, jo vetëm në evenimentet sportive ndërkombëtare, por edhe në garat kombëtare. Policia e Shtetit të mos lejojë asnjë shfaqje huliganizmi gjatë ndeshjes Shqipëri-Poloni. Ndaj kujtdo që shkel rregullat e vendosura nga UEFA, do të dokumentohen shkeljet dhe do të kërkohen ndëshkime të ashpra. Ne nuk duhet të presim të na ndodhi një ngjarje si ajo që ndodhi në Athinë pak javë më parë, për të ashpërsuar masat tona”, tha Balla.
Ministri Balla është shprehur se duhen evidentuar personat me precedent huliganizmi, në të dy tifozeritë si dhe thekson se personat e dhunshëm duhen ndaluar përjetësisht të hyjnë në stadiume.
Balla gjithashtu nënvizon se një bashkëpunim i mirë mes të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit do të çojë në parandalimin e çdo ngjarje të mundshme dhune gjatë këtij evenimenti sportiv.
“Kam shumë besim që një koordinim më i mirë i të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit, qoftë e rendit, Rrugorja apo dhe strukturat e tjera të Antiterrorit apo Strukturat e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, do duhet që të parandalojnë çdo ngjarje dhune në kryeqytetin shqiptar gjatë këtij evenimenti sportiv, shtuar këtu dhe përpara ndeshjes dhe pas ndeshjes. Mos harroni kurrë që gjithçka lidhet me imazhin e Shqipërisë”, përfundoi ministri Balla.









