Kuvendi i Shqipërisë po shkon drejt njohjes së Lulzim Bashën kryetar të grupit të Partisë Demokratike pas kërkesës së këtij të fundit një javë më parë.
Sot bëri hapin e dytë. Në seancën e sotme, Nikolla njoftoi se Lulzim Basha këtë post ia ka deleguar deputetes Flutura Açka.
“Me propozim të kryetarit të partisë vendoset përbërja e Kryesisë së Grupit Parlamentar të PD: Flutura Açka nënkryetare e autorizuar për përfaqësimin e grupit parlamentar në mungesë të kryetarit.
Kreshnik Çollaku nënkryetar, Arbi Agalliu Sekretar, Oriola Pampuri Zëdhënëse. Firmosur nga kryetari Lulzim Basha i grupit”, njoftoi Nikolla.
“Kjo është skandaloze. Nuk mund të përcaktosh dhe vendosësh ti se kush do të jetë kryetari i grupit të PD-së” tha Gazment Bardhi.
“Tani na lexon këto paçavuret, ku e ke rregulloren përveç urdhrit të Ramës për të provokuar deputetët e opozitës. Ti po na provokon 50 deputetë të opozitës. Ku e gjen guximin. Zbato rregulloren” kërkoi Bardhi.
“Po pres ende opinionin e shërbimit juridik në kuvendin e Shqipërisë” tha Nikolla, por në krahun tjetër ndryshoi renditjen e diskutantëve duke mos njohur listën që dërgoi Gazment Bardhi.