Prej të hënës dhe në tre javët në vazhdim në Shqipëri po zhvillohet censusi, regjistrimi i popullsisë. Pyetjet mbi etninë dhe fenë kanë shkaktuar debate dhe reagime jo vetëm në rrjetet sociale nga shqiptarët. Në terren është regjistruar incidenti i parë. Ndodhi në Pustec.
Një bashki e minoritetit maqedonas. Në këtë komunitet janë të shumtë qytetarët që vitet e fundit kanë marrë pasaporta bullgare. Një pjesë për shkak të përfitimit për të lëvizur lirë sepse Bullgaria është anëtare e BE-së. Në nisje të regjistrimit në Pustec shkoi ambasadori bullgar Ivaylo Kirov.
Diplomati sipas mediave dhuroi barna e medikamente në dy qendrat shëndetësore të Pustecit. Vizita në nisje të censusit dhe pak ditë pasi në Tiranë ishte zv/ presidentja bullgare është mesazh i qartë. Sofja po lëviz për regjistrimet. Duhen numra.
Edhe pse ambasadori publikisht e mohoi. Maqedonasit reaguan. Eftim Mitrevski, nënkryetari i Partisë Aleanca Maqedonase për Integrim tha se Bullgaria po bën presion ndaj minoritetit maqedonas në Pustec.
“Kjo është përzierje në punët e brendshme të këtij shteti si vizitë e ambasadorit ashtu dhe n/presidentes bullgare. Ajo duhej përzënë nga Shqipëria, duhej dhënë ultimatum, duhet të linte shtetin shqiptar dhe të dilte jashtë kufijve të Shqipërisë.
Si e lejon shteti shqiptar që personalitete të tilla në kohën e Censit të ushtrojnë propagandë këtu, ne jemi qytetarë shqiptarë, mbushim mot 100 vite që ky shtet shqiptar na ka njohur, me institucione, në asnjë dokumente të shtetit shqiptar nuk figuron bullgar. Vizita e ambasadorit bullgar është krejtësisht e gabuar”, tha ai.
Pusteci njihet ligjërisht si zona ku banon minoriteti maqedonas. Mësimi në arsimin fillor zhvillohet në dy gjuhë shqip dhe maqedonisht. Ndërsa bashkia drejtohet nga Pali Kolefski, i Partisë “Aleanca Maqedonase për Integrim”, që fitoi zgjedhjet lokale në koalicion me PS-së.