Eksportet e vajit të ullirit arritën vlerën e 25 milionë eurove për 8 mujorin, me rritje vjetore 665% në të njëjtën periudhë.
Sezonin e kaluar prodhimi i ullirit dhe vajit njohu rekorde si rrjedhojë e kushteve të mbara të motit dhe hyrjes në prodhim të pemishteve të reja.
Nga ana tjetër prodhuesit më të mëdhenj të ullirit në Europë, Italia dhe Spanja u përballën më thatësirë që çoi në ulje drastike të vajit në tregjet europiane.
Ky ishte një moment i mirë për Shqipërinë, pasi fermerët shqiptare që kishin akumuluar stoqe prej dy-tre vitesh i eksportuan drejt Italisë. Të ardhurat nga eksportet e vajit të ullirit u shndërruan ne burim i mirë të financimi për kultivuesit dhe përpunuesit e vajit të ullirit.
Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arian Jaupllari, pohoi më herët për “Monitor” se duke marrë në konsideratë efektet e ndryshimeve klimatike që sollën thatësirën në vendet kryesore prodhuese dhe eksportuese të Europës janë nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi për nxitjen e eksporteve të ullirit dhe vajit të ullirit në tregun italian dhe europian.
Burimet nga tregu bëjnë me dije se edhe ky sezon do të jetë i mbarë. Prodhimi nuk pritet të jetë në përmasat e vitit të kaluar, por është i mjaftueshëm për të mos krijuar mungesa në tregun e brendshëm.
Vijimësia e eksportit edhe këtë sezon do të vendoset nga prodhimi në vendet e tjera të Europës, por përvoja e këtij viti ka qenë pozitive për shumë fabrika të cilat kanë nisur të investojnë për rritjen e kapaciteteve të magazinimit./Monitor
Artikulli i plotë këtu.