Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar mëngjesit ne sotëm një takim me ambasadorët e QUINT-it dhe të Bashkimit Evropian.
Në takim ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe BE-së diskutuan në lidhje me situatën e regjistruar së fundmi në veri të Kosovës..
Sipas Presidencës së Kosovës Osmani ka falënderuar ambasadorët për solidaritetin dhe ngushëllimet e shprehura për vrasjen e efektivit, Afrim Bunjakut.
Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me shtetet aleate dhe koordinimit të institucioneve të sigurisë, me qëllim të parandalimit të përsëritjes së akteve të tilla.
“Kosova është e vendosur që të vazhdojë ta promovojë paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe të punojë me komunitetin lokal serb për t’i afruar dhe integruar në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës”, u shpreh Osmani.
Ajo gjithashtu ka theksuar se duhet të kërkohet llogari nga Serbia për veprimet e saj kundër Kosovës, duke ia bërë të qartë se duhet të ndalojë financimin, mbështetjen dhe shtytjen e grupeve kriminale për veprime terroriste.