-sidi education-spot_img
24.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: A i mësoi gjë kësaj opozite Kukësi?

Kryesoret

Zgjedhjet e së dielës së kaluar në Kukës, megjithëse të pjesshme dhe pa ndonjë rëndësi të veçantë për vendin, rihapën pikëpyetjet e vjetra dhe sollën të tjera, duke vendosur një raport të ri me opozitën.

Më habiti qetësia para zgjedhjeve e shefit të qeverisë, heshtja që ishte në kampin e shumicës, aq sa ishte e pazakontë lëvizja e 41 deputetëve të opozitës drejt qendrës së qytetit verior, një “ shpikje” e Bardhit,  të sapo zgjedhurit drejtues të grupit parlamentar të opozitës pa emër, pa adresë dhe të pakurrkund.

Së bashku apo veç e veç, një zëri apo në shumë zëra, opozita e tashme, edhe pse iu ngjit nga pas një fluturiçkë politike si Bardhi, nuk ngjiti as te të vetët, nuk bëri asgjë të veçantë, nuk kishte një risi politike dhe as organizative, dhe, në fund, nuk gjeti as justifikim më origjinal se sa avazi i vjedhjes së votave.

Risia e opozitës, shpërngulja e deputetëve të opozitës drejt Kukësit, të thuash në mbrojtje të votës, ishte më shumë një tallje me figurën e tyre politike, delegimi i humbjes në një shumicë njerëzish, që, me gjithë dëshirën për të bërë diçka ndryshe, morën mbi vete një barrë që nuk i takonte dhe dëshmuan se, ndërsa politika është arti i së mundshmes, fitorja e opozitës, kudo qoftë, është mision i pamundur.

Si është e mundur që, më shumë se pas 10  viteve qeverisje, jo gjithnjë e suksesshme, për më tepër, në disa raste  e vetë goditur nga korrupsioni, PS vazhdon të jetë forca kryesore politike, në të rastet dominon edhe mbi dy të djathtat, mbi të gjithë opozitën, edhe kur ajo duket  e bashkuar?

Zakonisht, pas kaq viteve, duhej të kishte ndodhur e kundërta dhe, në politikën shqiptare kemi shembuj kur mohimi ka ndodhur shumë më shpejt. Në vitin 1992, pas fitores plebishitare të PD me 22 mars, pak muaj më pas ndodhi përmbysja në zgjedhjet vendore; e njëjtë edhe në Kosovë, kur, pas 14 shkurtit të dy viteve të shkuara, ndodhi kalimi i besimit në shumë komuna drejt forcave opozitare në parlament.

Si mund të ndodhë që pikërisht në një kohë kur çmimet janë rritur në të gjithë anët, nga karburanti deri te buka, kur jeta është bërë më e shtrenjtë dhe perspektiva më  e mbyllur, pikërisht tani kur qeveria duket e lodhur dhe pa asnjë identitet të spikatur, për më tepër e rënduar nga korrupsioni, ajo përsëri merr një mbështetje dërmuese në çdo bashki, jug e veri, në bastionet e saj dhe në bastionet e dikurshme të opozitës, jo vetëm në bastionin e mbyllur të bashkisë së Shkodrës, që pak muaj më parë u quajt një befasi?

Si ndodh që përsëri PS fiton në mënyrën dërmuese, edhe më shumë se në zgjedhjet e 14 majit? Duket e pabesueshme, por ka ndodhur.

Kukësi dëshmoi: Çdo gjë që ndodh në kampin e opozitës nuk është përmbysje e mendimit politik, por vetëm arnimi i asaj që ka ndodhur edhe më parë në kampin e opozitës. Vlerat janë bërë anti vlera, mendimi është bërë i pa rinovueshëm, sjellja politike e pa ndryshuar, bastionet nuk janë më bastione, sjellja e politikës ndaj njerëzve është bërë e varfër, idetë janë ndryshkur.

Berisha mund të jetë një me Gazmend Bardhin, por, si ndodh në matematikë, ndryshimi i vendeve nuk e ndryshon shumën. Ilir Meta, njeriu i vetëm që përfiton nga anomalia, nuk sjell më vota, përkundrazi të heq votat e duhura, anomalia quhet rregull.

Pas skandalit të njohur të ish kryetarit të bashkisë do të ishte disi normale që besimi i njerëzve tek PS të humbiste, e përsëri kjo nuk ndodhi. Njeriu i vetëm që e dinte humbjen, edhe para se të ndodhte ishte drejtuesi i Foltores, heshtja e tij është shenja e madhe e kësaj, por kjo nuk ndryshon asgjë në faktin se, sa më shumë duket se bashkohen, në të vërtetë aq më shumë ndahen e copëtohen.

Berisha nuk ngjall shpresë as te të vetët, mendimi politik se vetëm ai mund të përballet me Edi Ramën tashmë është rrëzuar, asnjë e re nuk vjen nga fronti i opozitës, e për më tepër, nuk duken as shenjat më të vogla të ndryshimit.

Kukësi dëshmoi se njerëzit janë lodhur nga politika dhe, e drejta e votës, e shfrytëzuar, tani është veti vetëm e militantëve. Shumica e qytetarëve edhe në Kukës, heshti. Bora, shiu dhe moti i ftohtë ishin alibia e dukshme. Për një shumicë të madhe njerëzore, ndoshta për më të shumtët, ndërrimi i pushtetit vendor nuk do të thotë asgjë, veçse ndërrimi i pasunarëve, të cilët zënë vendin e njëri tjetrit, duke u vetë – pasuruar gjithnjë e më shumë.

Ata që votuan ishin më të shumtët militantët. Opozita nuk ka më ad militantë. Ajo ka metingashë, tani të pakët në numur, por ata nuk sjellin vota dhe as mendim ndryshe. Ata janë të aftë të sulmojnë një godinë partiake, të shkallmojnë dyert, të përdorin hunjtë, të përleshen, por jo të ndërrojnë drejtimin e rrjedhës.

Dhe njerëzit, për  fat të keq  janë më të ngrirë nga opozita, se sa nga qeverisja; kanë humbur besimin në dobinë e tyre nga politika, por veçanërisht nga njerëzit që përfaqësojnë të ashtuquajrurën opozitë.

Pyetja për këtë opozitë është e thjeshtë dhe e përsëritur: Si mund të shpjegohet që këto njerëz, të zhgënjyer, të lodhur, gjithnjë e më të varfër, përballë çmimeve që rriten dhe heshtjes qeveritare, përsëri, më shumë se më parë, mbështetin pikërisht partinë në pushtet?

Socialistët në Kukës lanë vetëm drejtuesin politik të qarkut, Pandeli Majko, që ka pasur ndoshta misionin më të vështirë të tij përballë 41 deputetëve të opozitës. Boshllëkun e krijuar nuk e mbushi dot as Edi Rama, që qëndroi larg bujës. Të majtët muk premtuan asgjë, nuk kishin as çfarë të paraqitnin si diçka spektakolare, rasti Gjici i kishte shkallmuar ato, për shumë kënd fitorja duhet të dukej utopi, rikthimi i postit të kryetarit të bashkisë në duart e tyre, i pamundur.

Më shumë se meritë e tyre, ajo që ishte vendimtare qëndron në zbehjen gjithnjë e më të ndjeshme të opozitës, e cila, edhe pse është në  rënien e saj që nga viti 2013, nuk ka asnjë shenjë ri ngritje dhe nuk ngjall asnjë shpresë së mund të jetë vizionare apo të tërheqë pas vetes të pakënaqurit.

E diela në Kukës ishte një dëshmi më tepër se në thelbin e opozitës qëndron meskiniteti politik, pa aftësia për të sjellë diçka të re dhe besimi i humbur. Ajo  është në gjendje nokdauni, më tepër po lodhen të gjejnë armikun brenda vetes dhe në llogaritë e ardhshme të zgjedhjeve politike,  se sa hapjes së tyre, kërkimit të një mendimi ndryshe, tërheqjes së një force intelektuale pa mëkate dhe me dëshirën për të ndryshuar shumë gjëra. Në fakt, edhe po të duan, ky ekip, i traumatizuar, nuk mund të bëjë asgjë.

Përballë tyre Edi Rama u duket njerëzve shumë më i pranueshëm, edhe kur nuk bën asgjë, edhe kur futet në lojën e politikës zgjedhore në momentin e fundit, edhe kur nuk premton asgjë, edhe kur nuk është fare.

Sido që të thuhet humbja ka emrin e Berishës. Dhe fillimin e fundit të iluzionit politik se vetëm me atë mund të mundet e majta, të rikthehen në pushtet, të bëhen forcë e rëndësishme politike. Koha e tij është e shkuar. Mundësitë e tij politike janë drejt rënies, që, edhe po të duan, nuk mund të ndalet.

Sa më shumë të zgjatet ky iluzion politik, aq më tej do të shpërbëhet “e djathta”, që në fakt nuk është as e djathtë, as e majtë, as në qendër. Është vetëm ideja e qëndrimit në politikë të një njeriu, që, përmes politikës ka gjetur koracatën politike për të mbrojtur familjen e tij, dishepujt e tij dhe veten.

Opozita do të provojë edhe më tej të ketë si lider të njëjtin njeri, që brenda kampit të tij i mund të gjithë. Edhe të rebeluarit e përkohshëm, edhe Uriah Hippët e politikës, si Bardhi, edhe ata që e anatemuan. Do të qëndrojë gjithnjë me shpresën se Berisha, një ditë, do të ketë energjinë politike për të bërë ndryshimin. Koha do të saktësojë se përmes tij nuk vjen dot në pushtet. Për më tepër, as nuk rinovohet, as nuk gjallërohet.

Deri atëherë Edi Rama do të qeverisë i qetë, çmimet do të vazhdojnë të rriten, niveli i jetës, në vazhdoftë kështu, do të bjerë, të shpallurit non grata do të jenë pjesë e fitimit të tenderëve të kullave apo rrugëve përmes emisarëve të saj, e në fund të fundit, bota do të rrotullohet rreth një elite oligarkësh, të cilët do të jenë të lodhur duke numëruar pasurinë e tyre.

Kukësi nuk i mësoi asgjë opozitës. Nuk është faji i qytetit verior. Në pushtet nuk vjen dot me Belerin. As me Berishën. Edhe në Kukës kështu!/ DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit