Profesori amerikan, Edward Joseph ka kritikuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill. Joseph tha se janë bërë mbi 10 orë nga alarmet e Shtëpisë së Bardhë për mobilizimin ushtarak të Serbisë në afërsi të kufirit me Kosovën, dhe ende as Hill e as në faqen e ambasadës, nuk janë shpërndarë këto alarme.
“Shtëpia e Bardhë e alarmuar po i bën thirrje Serbisë që të tërheqë trupat e saj të vendosur përgjatë kufirit me Kosovën. Sekretari Blinken “i nënvizoi” (Vuçiçit) nevojën për të de-përshkallëzuar tensionet me Kosovën”.
Mbi 10 orë dhe as Ambasadori i ShBA’së në Serbi e as Ambasada e ShBA-së në Serbi nuk kanë ripostuar mesazhet e krizës”, ka shkruar Joseph.
Ai ka rikujtuar një deklaratë të ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeline Albright e cila kishte thënë se “ajo që ka më shumë rëndësi në diplomaci, është ajo që thuhet publikisht”.
Joseph ka theksuar se postimi i fundit i Hill është më 8 shtator e i ambasadës më 26 shtator, derisa ka pyetur se “Nëse do të ishit presidenti Vuçiç, çfarë mesazhi do të merrnit”.
“Ambasadori Hill ka postuar për herë të fundit në Twitter më 8 shtator dhe Ambasada e ShBA-së në Serbi më 26 shtator. Nëse do të ishit presidenti Vuçiç, çfarë mesazhi do të merrnit”, përfundon postimi i Joseph.
SHBA i kërkon Serbisë të tërheqë trupat ushtarake nga kufiri me Kosovën