Partia Demokratike kërkon interpelancë me kryeministrin Edi Rama për deklaratat dhe apelet drejtuar ndërkombëtarëve që KFOR-i të marrë në dorë veriun e Kosovës pasi terroristët serbë vranë policin Afrim Bunjaku. Deputeti i PD Kreshnik Çollaku ka dorëzuar kërkesën në Kuvend ku kërkon që kryeministri të japë shpjegime.
“Kërkesa për marrje nën kontroll nga KFOR të veriut të Kosovës është një shpallje de facto e protektoratit ndërkombëtar mbi një pjesë të territorit të shtetit sovran të Kosovës. Kërkesa cënon sovranitetin e Kosovës mbi atë pjesë të territorit të saj, si dhe kompromenton autoritetin e Policisë së Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Kërkesa injoron thelbin e prezencës dhe mandatit të KFOR, si dhe raportin e saj me Policinë e institucionet e Republikës së Kosovës. Kërkesa e Kryeminsitrit Rama injoron faktin se NATO e KFOR janë në Kosovë për të mbështetur pavarësinë e sovranitetin e saj dhe jo për t’a dëmtuar apo asgjësuar atë. Bazuar në sa më sipër kërkoj zhvillimin e një interpelancë me Kryeministrin Edi Rama” shkruan deputeti Kreshnik Çollaku.