Kryetari i PD-së zyrtare, Lulzim Basha është përfshirë në një debat në nisje të seancës së sotme me Gazment Bardhin. Basha i kërkoi Lindita Nikollës që të kthente përgjigje dhe të njihje në krye të grupit parlamentar Flutura Açkën dhe jo Bardhin që sipas tij është shkarkuar. Berishën dhe Bardhin i akuzoi si aleanca e kullave. Por kryetari i grupit të PD-së reagoi duke e akuzuar se në javët e fundit ka marrë dy kate në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës. Për këtë akuzë, Basha tha se duhet që prokuroria të nisë hetimet, pasi e cilësoi shpifje. Sa i përket postit të kryetarit të grupit, Lindita Nikolla tha se është duke shqyrtuar dokumentet.
Debati në Kuvend
Lulzim Basha: Më 4 shtator ju keni bërë një njoftim të ardhur nga PD. U bë një muaj që ky njoftim dhe njoftimet e tjera të PD-së injorohen nga ana juaj kundër zotimit që bëtë publikisht. Fakti është që ju nuk keni bërë publik asnjë vendim.
Po vendosni sipas qejfit dhe dëshirës suaj. Sot flisni vendime të grupit të PD-së. Nuk ka vendime, këto janë interpretime tuaja të njëanshme. Sepse kështu e doni opozitën, pa grup. E doni opozitën sikur e kishit në Kukës. Por kjo nuk është në dorën tuaj.
Gazment Bardhi: U emocionova shumë sidomos nga kjo aleanca e kullave. Ka marrë nja dy kate, në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës dhe kur vjen këtu për të akuzuar, numëro njëherë katet në kullat më të shtrenjta të Tiranës të tua apo familjarëve të tua. Ti je i vetmi i vetëshpallur, je ti dhe tre të tjerë mbrapa. Je thjeshtë i rikthyer pas një viti e gjysmë opozitë.
Lulzim Basha: Prisja përgjigje nga ty jo nga bashkëpunëtorët e kësaj zallamahie. Për ata që kanë vendosur të bëjnë luftën e ndyrë personale, kam një përgjigje; votoni vettingun në politikë. Ky është i vetmi parlament ky deputeti nuk mban përgjegjësi për cfarë thotë.
Sot ky rregull është bërë shkak që të hapet goja pa marrë asnjë përgjegjësi. Nga këto deklarata ose prokuroria nis hetimet për mua, ose për shpifësit gojëçorap-pisët. Ta dini, jo vetëm nuk na e mbyllni gojën me shpifjet tuaja 64 katëshe por shumë shpejt do të përballeni me vettingun në politikë.