Shtetet e Bashkuara vazhdojnë përpjekjet diplomatike në përgjigje të krizës që shpërtheu pas sulmit të Hamasit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken thotë se Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekje intensive për të siguruar lirimin e pengjeve që ka marrë Hamasi. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, Sekretari Blinken po kryen bisedime në rajon me qëllim parandalimin e zgjerimit të konfliktit me vende të tjera.
Presidenti Joe Biden e quajti krizën humanitare në Gaza një përparësi ndërsa mbajti një fjalim mbi ekonominë në Filadelfia.
“Ne nuk mund të harrojmë faktin se shumica dërrmuese e palestinezëve nuk kishte të bënte me sulmet e tmerrshme të Hamasit dhe si rezultat edhe ata po vuajnë,” tha Presidenti Biden.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres tha të premten se kushtet në Gaza janë përkeqësuar tej mase.
“Të zhvendosësh më shumë se 1 milion njerëz nëpër një zonë lufte me popullsi të dendur në një vend pa ushqim, ujë apo strehim, kur i gjithë territori është nën rrethim, është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe, në disa raste, thjesht e pamundur,” tha shefi i OKB-së, Guterres.
Të premten në Izrael, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin demonstroi solidaritetin amerikan me Izraelin pas sulmeve brutale të javës së kaluar nga militantët e Hamasit që e shtynë Izraelin t’i shpallte luftë organizatës që Uashingtoni e cilëson si terroriste. Rreth 3,100 njerëz kanë vdekur në Izrael dhe Gaza.
“Terroristët si Hamasi vënë me qëllim në shënjestër civilët, por demokracitë nuk e bëjnë këtë. Kjo kohë kërkon vendosmëri, jo hakmarrje dhe panik. Tani është koha për siguri dhe për të mos u dorëzuar,” tha Sekretari Austin./VOA
Artikulli i plotë këtu.