Në dosjen e privatizimit të kompleksit “Partizani” kanë dalë edhe shumë emra të tjerë përveç Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit. Në presionin që i bëhet Komandantit të Logjistikës në Forcat e Armatosura, Vladimir Qirjazi rezulton se pasi nuk u bind që të firmoste, Sali Berisha ka ngritur një grup kontrolli nga Kryeministria për ta kontrolluar. Shumë shkresa nuk rezultojnë në protokoll. Fati i tyre nuk dihet, si janë zhdukur.
SPAK thotë se pasi gjenerali kundërshtoi, “brenda të njëjtës ditë që rezulton se është përgatitur shkresa e mësipërme, duke u njoftuar Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa, rezulton se ka një reagim të menjëhershëm më datë 16.04.2009 me urdhrin Nr. 1289 Prot, nga Kryeministri Sali Berisha, mbi kontrollin tematik në Ministrinë e Mbrojtjes, mbi zbatimin e procedurave ligjore dhe administrative për dorëzimin dhe nënshkrimin e kontratës së shitjes së pronës me Nr.11, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes”.
Kush e përgatiti kontrollin? “Programi i kontrollit i përgatitur nga drejtor (i kabinetit) Oerd Bylykbashi (sot deputet i PD-së) dhe i miratuar nga sekretari i përgjithshëm Gjergj Lezhja. Programi i kontrollit është koncept nga Ilir Kadiu në kuadër të kontrollit, nga departamenti i kontrollit të brendshëm administrativ dhe antikorrupsion” thotë SPAK-u. Oerd Bylykbashi ka qenë ish-shefi i kabinetit të Sali Berishës në mandatin e dytë, 2009-13.