-sidi education-spot_img
32.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Veton Surroi: “Pesëshja e madhe” dhe arritja në cak pa dy rrota

Kryesoret

Vizita e pesëshes në Prishtinë e shkuarja në Beograd ishin përpjekje për të treguar se vazhdohet më tutje, me një proces seriozisht të dëmtuar

1.

Nuk duhet të ketë qenë ndonjë ndjenjë e bukur që pesë përfaqësues të katër shteteve të mëdha evropiane dhe një amerikan të zbresin në Prishtinë e Beograd brenda ditës, duke treguar kështu tërë seriozitetin e situatës, ndërsa në të njëjtën kohë zhvillohet një tragjedi lufte në Ukrainë dhe një tjetër mes Izraelit dhe palestinezëve.

Aq më pak do të ketë qenë ndjenjë e bukur që të pesë përfaqësuesit të kenë ardhur me tonin e urgjencës, por duke pasur një qasje që i ngjason “business as usual”, ta vazhdojmë aty ku e lamë – ndoshta diku atëherë në mars, ndoshta në maj , ndoshta në qershor a korrik a shtator.

Pesë përfaqësuesit e ardhur në Prishtinë dhe Beograd mund të kenë sjellë një dokument që mund të jetë një draft statuti për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe, por këtë dokument e sollën në një proces që është i dëmtuar strukturalisht.

Procesi i ngjason një veture së cilës i kanë rënë një a më shumë rrota, por shoferët besojnë se nëse vazhdojnë ngasjen kjo nuk do të hetohet, disi do të arrihet në cak.

2.

Në të kaluarën rrotat mund të kenë pasur emra të tjerë ( “dialogu teknik”, eksperimentime me këmbim territoresh e të ngjashme), por më 2023 dy rrotat strukturore të veturës janë asimetria dhe Banjska.

Rrota e cila ka rënë që në fillim të këtij viti ka qenë asimetria e Marrëveshjes bazike. Për Kosovën kjo ka qenë dhe është Marrëveshje obliguese mes Kosovës dhe Serbisë dhe kryeministri ka ofruar që atë ta nënshkruajë. Në fakt, qe menduar që pas miratimit në parim të organizohej një ceremoni nënshkrimi formal (mbase në Paris, dhe kjo do të kishte marrë edhe një dimension të veçantë estetik), por për Serbinë kjo marrëveshje bazike nuk është as Marrëveshje, as Bazike, as marrëveshje bazike me Kosovën. Për Serbinë është një dokument pune, mbi të cilin do vazhduar negociatat.

Këtë asimetri me ushtrim jocilësor letërsie në gjuhë burokratike J.Borell e shndërroi në Marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Teknikisht është diçka që futet në sirtarët burokratikë të Brukselit si një prej dokumenteve me të cilat matet integrimi i Serbisë në BE dhe ai i Stabilizim-Asociimit të Kosovës.

Është pak a shumë ajo që i konvenon presidentit Vuçiq për të treguar se nuk ka Marrëveshje dhe për BE-në për të treguar se ka Marrëveshje. Për veturën e negociatave është një rrotë mangët.

Rrota e dytë mangët është Banjska. Një grup paraushtarak i prirë nga M.Radoiçiq, bashkëpunëtor i afërt i presidentit Vuçiq, sulmoi Kosovën afër Manastirit të Banjskës, në një operacion që mund të kishte qenë fillimi i një konfrontimi më të gjerë të armatosur, mes njësive paraushtarake të stërvitura në Serbi dhe forcave të sigurisë në Kosovë, përfshirë edhe KFOR-in. Ka kaluar një muaj nga ky sulm dhe ende nuk janë kryer tri gjëra thelbësore. Një, nuk është hartuar një raport përmbledhës (nga KFOR-i, EULEX-i, autoritete të Kosovës, autoritete të Serbisë) mbi atë që ndodhi, duke treguar nivelin e përfshirjes së strukturave shtetërore të Serbisë në të. Dy, nuk ka ndodhur delegjitimimi i përdorimit të dhunës nga ana e autoriteteve të Serbisë, por përkundrazi u shpall ditë zie për tre pjesëtarët e vrarë të njësitit paraushtarak dhe u legjitimua veprimi i tyre në fjalorin e autoriteteve zyrtare dhe në ligjërimin publik. Dhe tre, nuk ka ndodhur delegalizimi i këtij veprimi: M.Radoiçiq është ende në liri, ndonëse ka pranuar përgjegjësinë për organizimin dhe veprimin e formacionit paraushtarak.

Një muaj më pas, dhe kur njëra palë konsideron se mund të zhvillohen negociata e njëkohësisht të dërgohen formacione paraushtarake ndoshta për të ndërtuar pozicion më të favorshëm negociator (me “realitete të reja”), është vështirë të mos hetosh se vetura ka mbetur edhe pa një rrotë.

3.

Problemi nuk qëndron te presidenti Vuçiq.

Ai ka transmetuar saktësisht se çka dëshiron dhe çka nuk dëshiron, çka do të bëjë dhe çka jo. Prej fillimit të vitit ka thënë shprehimisht, gojarisht dhe me shkrim se nuk e pranon Marrëveshjen bazike në tërësi, se ka gjëra që do të zbatojë dhe ka gjëra që nuk do të zbatojë. Gjatë tërë vitit ka thënë se nuk do të bëjë asnjë hap në negociata pa formimin e Bashkësisë së komunave serbe (ndërkohë është harruar shtesa “e komunave me shumicë serbe”). Prej nëntorit të vitit të kaluar, pas tërheqjes së policëve, gjyqtarëve e zyrtarëve të tjerë nga shërbimi në institucionet e Kosovës të katër komunave të pjesës veriore të vendit, ka deklaruar se “veriu i Kosovës është i okupuar”; një deklaratë që mund të ketë qenë inspiruese për cilindo që të jetë ndier i ftuar të formojë apo të marrë pjesë në grup paraushtarak për çlirimin e kësaj pjese të “okupuar”.

Problemi qëndron te ndërmjetësit që përpiqen të ndërtojnë një interpretim ndryshe të fjalëve të drejtpërdrejta të tij. Dhe, kur konfrontohen me kokëfortësinë e realitetit, si për shembull me Banjskën si produkt i drejtpërdrejtë i një ndërmjetësimi të dështuar të BE-së, dalin me arsyetimin e fjalëve të tij : “Presidenti Vuçiq nuk mund ta nënshkruajë Marrëveshjen, sepse është i kufizuar nga Kushtetuta e tij”, por kjo nuk na pengon të vazhdojmë. Të vazhdojmë pa rrota.

Kjo quhet “disonancë kognitive”, është mbajtja e dy pohimeve të kundërta dhe në shembullin që jepnin psikologët në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar është sikur duhanxhiu që pohon se pirja e duhanit është e dëmshme për shëndetin, por ai pi sepse nuk e dëmton shëndetin e tij personalisht.

4.

Nuk besoj të ketë qenë ndjenjë e mirë që misioni Prishtinë-Beograd i pesëshes së të dërguarve perëndimorë të mos ketë lexuar një kontekst tjetër. Po, ata fluturonin për në dy qytetet ndërsa po zhvillohen dy luftëra të tmerrshme, në Ukrainë dhe në Izrael, me një besim se duhej ta hiqnin prej rendit të ditës një problem që për krahasim është guralec në këpucë. Por konteksti tjetër është se misioni qe një përpjekje për të nxjerrë diçka para se Serbia të arrijë në zgjedhjet e veta parlamentare dhe vendore më 17 dhjetor të këtij viti. Kushdo që nuk e ka lexuar këtë kontekst nuk do të kuptojë se është fare joproduktive të kërkosh diçka në negociata, posaçërisht diçka që perceptohet si koncesion nga ai që hyn në zgjedhje. (Apo ndoshta koncesioni është menduar t’i kërkohet palës që nuk hyn në zgjedhje?)

Leximi i thjeshtë, apo madje i thjeshtësuar, i kësaj vizite mund të ketë qenë i formuluar në konferencë shtypi, “po , ndodhi Banjska, por ne duhet të vazhdojmë me zbatimin e Marrëveshjes bazike, madje kjo është arsyeja më e fortë për të vazhduar”. Që është, pak a shumë, “po , tash jemi pa dy rrota, por nëse hipni në këtë veturë do të arrijnë që të gjithë së bashku në cak”./ Koha.net

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit