Avokatit serb, Borivoje Boroviç ka folur për nova.rs në lidhje me arrestimin si dhe lëshimin e përgjegjësit të sulmit të 24 shtatorit në veri, Milan Radojçiç.
Sipas Boroviç e gjithë procedura e hetimeve është fake. Avokati serb ka thënë për mediumin serb se beson se hetimi pengohet nga fakti se e gjithë procedura është e montuar.
“Besoj se do të vonohet sepse, jam i sigurt, nuk kanë as procesverbal të hetimeve nga Kosova, as dëshmitarë, deklaratat e të cilëve mund t’i përdorin kundër Radojçiçit, as nuk kanë armë, e lëre më disa vërtetime nga prokuroria aty për sendet e konfiskuara, kështu që hetimi është i pakuptimtë që në fillim.
Nëse nuk ka bashkëpunim me personat nga vendi i ngjarjes, atëherë hetimi nuk mund të bëhet, jam absolutisht i sigurt se nuk do t’i marrë asnjëherë, kështu që procedura ka filluar duke e ditur se nuk do të dilte asgjë, domethënë kjo është falsifikimi i procedurës”, ka deklaruar Boroviç.
Që nga dita e lirimit, pavarësisht presionit ndërkombëtar, nuk dihet asgjë rreth hetimeve ndaj ish-nënkryetarit të Listës Serbe, e aq më pak për mundësinë e ekstradimit të tij dhe terroristëve të tjerë në Kosovë.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla deklaroi se Qeveria e Kosovës do t’i kërkojë Serbisë, përmes partnerëve, që t’i dorëzojë drejtësisë së vendit të gjithë anëtarët e grupit terrorist që arritën të ikin pas sulmit në Banjskë.
Ai po ashtu, ka deklaruar që do të kërkohet edhe ekstradimi i Milan Radojçiç.