-sidi education-spot_img
6.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Enver Robelli: Mbi Izraelin, Palestinën dhe ditët e zeza

Kryesoret

David Grossman, shkrimtari i madh izraelit, shpjegon konfliktin në Lindjen e Afërt.

Në romanin e tij “Çfarë dinte Nina” shkrimtari i madh izraelit, David Grossman, shkruan për Goli Otokun, ishullin famëkeq në Adriatik, ku diktatori jugosllav J. B. Tito internoi kundërshtarët e tij politikë dhe ata që i etiketoi si kundërshtarë. Ky libër bazohet kryesisht në dëshmitë e Eva Paniq-Nahir, e lindur më 1918 në Ballkan dhe e internuar në Goli Otok. Grossman ka qenë mik i zonjës Paniq-Nahir, e cila historinë e saj ia tregoi fillimisht Danillo Kishit, shkrimtarit të madh hebraik të Jugosllavisë socialiste. Në Goli Otok kanë qenë të internuar edhe shumë shqiptarë.

2.

Grossman është shkrimtar i rëndësishëm izraelit. Shpesh përmendet si kandidat për çmimin Nobel për letërsi, por juria e Nobelit prej vitesh pëlqen të nderojë shkrimtarë që merren me tema periferike dhe ekzotike ose – skandal! – që mohojnë gjenocidin si puna e Peter Handkes.

M’u kujtua romani i David Grossmanit pasi pak ditë pas sulmit të llahtarshëm të terroristëve të Hamasit lexova në “Financial Times” të Londrës një kontribut të tij publicistik. Natyrisht që Hamasi e bart fajin për shkaktimin e tmerrit. Këtë e thekson Grossman, por këtu nuk fillon as nuk mbaron historia. Grossman, i cili e ka humbur të birin në luftën e Izraelit kundër Libanit më 2006, gëzon kredibilitet moral për të prekur tema delikate edhe në orët e errëta të Izraelit.

3.

Po shoh, shkruan Grossman, një ndjenjë të thellë tradhtie. Një tradhti ndaj qytetarëve nga qeveria e tyre – nga qeveria e Benjamin Netanjahut dhe koalicionit të tij qeveritar shkatërrimtar. Shteti, sipas Grossmanit, i është dorëzuar politikës së çmendur dhe agjendave shpirtngushta, grabitqare e cinike. Ajo çfarë po ndodh tani në Izrael është çmimi konkret që vendi e paguan për shkak se me vite të tëra është joshur nga udhëheqja e korruptuar. Një udhëheqje që e çoi vendin drejt humnerës duke dëmtuar institucionet e drejtësisë, ushtrisë, arsimit. Një udhëheqje që është e gatshme ta vë Izraelin para rrezikun ekzistencial vetëm e vetëm për ta shpëtuar kryeministrin nga burgu.

4.

Ka muaj që qytetarët e Izraelit protestojnë kundër Netanjahut. Ky nuk pranoi t’i dëgjojë kritikët, por vendosi t’i diskreditojë, t’i përshkruajë si tradhtarë, të nxisë urrejtje ndaj tyre dhe të thellojë urrejtjen mes mbështetësve të tij. Megjithatë, duhet theksuar: llahtarinë e fundit nuk e nisi Izraeli, e nisi Hamasi. Edhe në hierarkinë e së keqes ekziston një shkallëzim, nënvizon Grossman. “Pas luftës Izraeli do të jetë më djathtist, më militant dhe më racist”. Grossman vazhdon: “Shpresoj e lutem të ketë palestinezë në Bregun Perëndimor të cilët përkundër urrejtjes ndaj Izraelit – pushtuesit të tyre! – distancohen nga bashkëkombësit e tyre, qoftë me vepra apo me fjalë”.

5.

Ajo çfarë synonte Netanjahu ishte një marrëveshje paqësore me vendet arabe duke e injoruar çështjen palestineze. Ajo konsiderohej e pazgjidhshme (ose e zgjidhshme me dhunë). Në marrëveshjen e synuar me Arabinë Saudite palestinezët nuk gëzonin vëmendjen e duhur. Grossman thotë se kjo marrëveshje nuk duhet të shihet si e shkëputur nga “e shtuna e zezë” e 7 tetorit mes Gazës dhe Izraelit. Paqja që synonte marrëveshja mes Tel Avivit dhe Riadit do të ishte një “paqe për pasanikë”, një “përpjekje për të lënë anash thelbin e konfliktit. Ditët e fundit kanë treguar se është e pamundur të gjesh një zgjidhje për tragjedinë e Lindjes së Afërt pa ofruar një zgjidhje që zbut vuajtjen e palestinezëve”.

6.

Pas sulmeve të 7 tetorit të terroristëve palestinezë, bota ndodhet para një stuhie të madhe. Këtë në një mënyrë e paralajmëron edhe David Grossman. Pasojat e kësaj stuhie janë të paparashikueshme. Rreziqet po ashtu. Në këtë kohë të përplasjes së botëve dhe botëkuptimeve, të civilizimeve dhe ideologjive, si rrallëherë në histori është me rëndësi që shqiptarët të mbajnë qëndrim të palëkundshëm kundër terrorizmit të Hamasit që godet civilët. Njëkohësisht është legjitime e njerëzore të mos aprovohet asnjë vrasje e civilëve palestinezë si pasojë e sulmeve shpesh joselektive të ushtrisë izraelite. Shqiptarët në Ballkan dhe diasporë duhet të qëndrojnë larg protestave që janë shfryrje antisemite dhe injorojnë historinë e ndërlikuar të konfliktit izraelito-palestinez, i cili s’mund të shpjegohet me shabllone bardh e zi dhe me klishe.

Nuk duhet bërë gabimet që po i bën një pjesë e shoqërisë boshnjake. Pak ditë pas sulmit të 7 tetorit në mediat sociale qarkulloi një fotografi në të cilën shihej një injorante me një pankartë në duar në Sarajevë: aty bëhej thirrje për ta “mbajtur botën të pastër” ndërsa shihej një figurë njeriu duke hedhur kryqin e Davidit në koshin e plehrave. Kjo është e tmerrshme dhe ikonografi antisemite që duhet përbuzur.

Komunitetet shqiptare në diasporë mund të ballafaqohen në muajt e ardhshëm me situata të neveritshme nëse të ashtuquajtur besimtarë shqiptarë – duke keqpërdorur flamuj e simbole shqiptare – i bashkohen protestave të diasporave të tjera myslimane, të cilat kanë agjendat e tyre antiperëndimore dhe antisemite. Këto agjenda synojnë nxitjen e urrejtjes, fanatizimin e njerëzve, provokimin e konflikteve, demonstrimin e pushtetit të ekstremistëve myslimanë./ Koha.net

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit