Një ditë pasi Edi Rama kërcënoi se reformën zgjedhore mund ta bëjë vetë Partia Socialiste pa opozitën, Lulzim Basha doli në një konferencë për mediat duke i kërkuar që të mblidhen sa më shpejt për të nisur punën. Për ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhen 84 vota dhe Basha nuk përjashtohet që të japë konsensusin.
“Mesazhi që kam, për një kohë të gjatë kanë përdorur gjendjen ku ndodhet opozita për t’u iku përgjegjësive. Në raport me Komisionin për Reformën Zgjedhore kjo alibi nuk pi ujë. Ka deputetë të PD dhe përfaqësues të partive aleate.
Spektri opozitar është i plotësuar. Propozimet tona janë konsultuar gjerësisht, pa diskutim ne mbetemi të hapur nëse ka plotësime apo propozime për plotësime për çështje të tjera që Reforma Zgjedhore duhet të trajtojë ndonëse mendojmë se me paketën tonë, kemi shteruar kërkesat që u shërbejnë njerëzve.
Platforma jonë nuk është partizane, nuk i shërben një partie politike por njerëzve. Shqipëria ‘një zonë elektorale’ i jep përgjigje pabarazisë së votës. Me propozimet tona, i japim përgjigje shteruese edhe pikëpyetjeve të vendosura deri tani për të ndaluar votën e emigrantëve.
Prandaj alibitë kanë rënë, sot disa ditë para nisjes së sesionit të ri të Kuvendit, thirrja ime është Komisioni i Reformës Zgjedhore të nisë menjëherë nga puna. Ky nuk duhet të jetë vit alibish. Nuk ka alibi përveç atyre që shpiken vetë, komisioni duhet të fillojë nga puna një orë e më parë. Bashkëkryetari do të hedhë të gjithë procedurat për të filluar këtë komision për të treguar se kush e do këtë komision dhe kush nuk e do” u shpreh Basha.