Operacioni kthehet në pikën zero. 15 persona që u shoqëruan dhe ndaluan për vrasjen e Gëzim Sinomatit të dielën në Vlorë janë liruar të gjithë. Ende nuk ka një autor vrasja e 23-vjeçarit që ishte duke pirë cigare në ballkon kur u qëllua me snajper.
Grupi hetimor nuk arriti të gjejë asnjë provë të vlefshme. Nga hetimet, policia lokale sipas grupit hetimor, ka pikasur një automjet që dyshohet se ka ndihmuar autorët të largohen nga vendngjarja. Sipas bluve, mjeti rezulton i shitur në Vlorë, por pa akt shitje.
Dyshohet se ky automjet në pronësi të një shtetasi nga Elbasani ka larguar autorët nga vendi ku u dogj automjeti tip BMË me të cilin u krye atentati mafioz.
Pista kryesore e kësaj ngjarje dyshohet të jetë ajo e hakmarrjes pasi babai i viktimës ka qenë pjesë e bandës së “Gaxhait” në vitin 1997 dhe aktualisht ndodhet në burg për vrasje.