-sidi education-spot_img
23.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Shaban Murati: Gjeneza e gjeopolitikës ballkanike

Kryesoret

Libri i ri i studiuesit Pano Hallko “Ballkani viktimë e gjeopolitikës” mbush një vakuum të madh të ballkanistikës shqiptare. Ballkanistika shqiptare vuan nga mungesa e dy shtyllave të rëndësishme, që janë mungesa e këndvështrimit dhe e analizës gjeopolitike të historisë së Ballkanit, por edhe nga mungesa e sistemit të mendimit të ri diplomatik autokton shqiptar, në interpretimin e zhvillimeve historike dhe të marrëdhënieve të dy shteteve shqiptare dhe të kombit shqiptar, me shtetet e tjera të rajonit.

Gjeopolitika e sotme ballkanike nuk mund të kuptohet drejt pa hulumtuar thellë në gjenezën e saj. Është një mision i lodhshëm dhe i vështirë, prandaj në literaturën e sotme politike shqiptare mungon një studim i kësaj natyre. Pikërisht për këtë merr vlera studimi, që i paraqitet tani lexuesit dhe studiuesve të gjeopolitikës, të historisë, të diplomacisë, të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të politologjisë nga studiuesi i njohur Pano Hallko. Mund të thuhet se autori është ndoshta i pari në studimet shqiptare të gjeopolitikës ballkanike, që ndriçon karakterin dhe boshtin vertikal të kësaj gjeopolitike, një përbërës i domosdoshëm, pa të cilin nuk mund të gjesh çelësin e gjeopolitikës së sotme ballkanike.

Studimi i tanishëm ngërthen një kompleksitet dhe implikim të komplikuar të parametrave të gjeopolitikës historike ballkanike, që ndriçojnë kuptimin e gjeopolitikës së sotme në gadishullin tonë. Kemi parashtrime të disa epokave historike, ku nisin rrënjët e karakterit dhe lidhjeve vertikale të kësaj gjeopolitike, nga e cila ka vuajtur aq shumë gjatë historisë kombi shqiptar.

Në pamjen e parë duket sikur autori hyn thellë dhe gjërësisht nëpër shtigjet e historisë ballkanike dhe jashtëballkanike. Meritë e librit është se ai nuk bën histori dhe nuk është ky qëllimi i studimit të tij. Në çdo  parashtrim të tij të fazave të ekzistencës, ngritjesh dhe rëniesh të perandorive, të përplasjeve dhe ndërhyrjeve të shteteve dhe fuqive të huaja, të pushtimeve dhe intrigave të tyre në rajon, kemi analizën e gjeopolitikës së tyre, të efekteve imedate dhe afatgjata që kanë në Ballkan. Në këtë sintezë thelbesh të lëvizjeve historike parakalon në libër një galeri e pasur konceptesh, doktrinash, teorish dhe programesh gjeopolitike, të konkretizuara nga aleancat e gjata ose të përkohshme, natyrale ose të habitshme, të shteteve, perandorive, fuqish të mëdha ose të mesme, figurash shtetërore, politike, diplomatike dhe gjeopolitike, të cilat i zbërthehen lexuesit pikërisht në funksion të qëllimit të madh të studimit , që të hulumtojë në radhë të parë  lidhjet vertikale dhe horizontale historike të gjeopolitikës së sotme ballkanike, rajonale dhe jo rajonale, që ka  diktuar aq shumë rrugëtimin historik të kombit tonë.

Ndërthurja, që libri i bën gjeopolitikës ndërkombëtare dhe rajonale me fatet e kombit dhe shtetit shqiptar gjatë shekujve, ndihmon që të kuptohet se trashëgimia dhe bagazhi historik dhe diplomatik i gjeopolitikës së të kaluarës historike duhet të jetë bazamenti i çdo qeverie, diplomacie, dhe udhëheqësi të shteteve shqiptare në veçanti dhe të kombit shqiptar në përgjithësi.

Pozicionimi dhe këndvështrimi gjeopolitik shqiptar si busull orientuese për lidhjet dhe raportet e sotme shqiptare në çdo fazë të zhvillimit shoqëror, historik dhe politik ballkanik, i jep vlera studimit të Pano Hallkos në drejtim të pasurimit të teorisë shqiptare të marrëdhënieve rajonale dhe ndërkombëtare.

Pavarësisht se në çfarë fazash historike të analizuara në libër, të cilat ndërlidhen në funksion të ndriçimit të bazamentit historik të gjeopolitikës ballkanike, e vërteta historike është se gjeopolitika ballkanike ka ekzistuar si fenomen, si zhvillim dhe si rrymë drejtuese lëvizjesh historike, individuale apo grupore të shteteve të rajonit,  shumë shekuj para se të dilte termi modern “gjeopolitikë”. Autori analizon dhe interpreton koncepte, teza dhe teori të shkencës së gjeopolitikës ballkanike, edhe për kohrat para se të lindëte si term dhe si shkencë. Ngjallin interes koncepte gjeopolitike si “zonat e ndërmjetme midis Lindjes dhe Perëndimit”, Ballkani si “urë e lidhjeve midis shteteve apo kontinenteve”,  “përplasjet në Ballkan të qytetërimeve”, e deri te koncpeti i “ndërvartësisë së interesave të përhershme dhe të përkohshme”, të cilat janë sot e kësaj dite në qendër të debateve për gjeopolitikën ballkanike.

E njëjta metodë e drejtë përdoret nga autori edhe për luftën hibride si një nga instrumentat më të fuqishëm në gjeopolitikën e sotme rajonale. Edhe termi “luftë hibride” është i ri në literaturën moderne politike, por praktika e përdorimit të këtij instrumenti nga shtetet dhe diplomacitë në rajon, është i vjetër sa ekzistenca e shteteve, e fuqive dhe e perandorive. Vetë ambiciet e tyre të mëdha i shtynin tek nevoja e përhershme e përdorimit të formave dhe të mekanizmave sa më komplekese të realizimit të asaj gjeopolitike në Ballkan, që çonte tek realizimi i pushtimit apo i ndikimit. Si shtetet përdoruese të luftrave hibride, ashtu dhe shtete ballkanike pësuese të saj, nuk e dinin se ajo i ishte realisht luftë hibride gjeopolitike.

Në këtë prizëm të drejtë studimor, libri ka qëmtuar dhe nxjerr në linjën e përshtatshmërisë së sotme gjeopolitike spektrin e gjerë të metodave dhe të formave konkrete të luftës hibride të ndjekur nga gjeopolitika ballkanike e fuqive të ndryshme gjatë shekujve. Në këtë kuadër zbërthehen intrigat politike dhe diplomatike, ndërhyrjet e nëndheshme shtetërore, diplomacia e kanonierave dhe diplomacia e fshehtë, diversionet dhe aleancat dypalëshe dhe shumëpalëshe, logjike apo alogjike, të shteteve ballkanike me fuqitë lindore dhe perëndimore, si dhe projektet specifike të zhvillimit rajonal, si mishërim i luftës hibride gjatë gjithë historisë ballkanike. Analizohet roli i një instrumenti të fuqishëm të gjeopolitikës ballkanike, kishës ortodokse në shtetet teokratike si Bizanti, Greqia, Serbia dhe Rusia, e deri tek lufta propagandistike me mediat e paguara rajonale dhe ndërkombëtare, siç është shembulli tepër domethënës historik dhe aktual i financimit nga qeveria greke e Lefter Venizellosit e disa mediave franceze, që në sajë të pagesave të majme greke profesonin dhe mbronin në Francë dhe në Europë ambiciet dhe kërkesat shoviniste të Greqisë në Ballkan.

Duhet konsideruar pozitive që autori i është shmangur një prej difekteve kryesore të historiografisë shqiptare, e cila bart ngarkesa të mëdha ideologjike dhe partiake në interpretimin ngjarjeve, fazave dhe figurave historike. Për autorin rëndësia dhe prioriteti shkencor mbetet interesi i shtetit dhe i kombit, ndaj libri e konkretizon këtë vizion me mekanizmin e përthyerjes së gjeopolitikës aneksioniste të shteteve fqinjë ndaj Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

Nëpërmjet ballafaqimit historik paraqitet ndikimi i aleancave politike shtetërore në Ballkan dhe në Europë, duke e ndihmuar lexuesin që të kuptojë aleancat e sotme dhe përzierjet e ekulibrave të fuqisë dhe të ambicieve shtetërore, raportet dhe interesat e shteteve në skakierën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Duke u  ndalur në evolucionin e idesë europiane apo të “Shteteve të Bashkuara të Europës”, të propozuar nga Aristide Bryant në vitin 1934, autori bën lidhjet me konkretizimin e kësaj ideje europiane në ditët e sotme, në formën e BE. Me të drejtë jepet rëndësi faktit që edhe idea europiane nuk duhet idealizuar dhe duhet parë në lidhje të ngushtë me gjeopolitikën e fuqive të mëdha europiane. Historia dhe dinamika e zhvillimit organizativ shtetëror mbarëeuropian dhe qëndrimet e diplomacisë së BE dhe të shteteve drejtuese të saj në raportet ballkanike, kanë provuar se një vizion realist është i nevojshëm për të njohur ndikimin e idesë europiane në gjeopolitikën e sotme ballkanike.

Mund të mos jesh plotësisht dakord me disa nga idetë, tezat apo interpretimet e autorit të këtij studimi, por duhet thënë se me këndvështrimin e tij këmbëngulës, kërkues dhe me mënyrën interesante të analizës vertikale dhe horizontale të gjeopolitikës ballkanike, autori krijon kushtet për një debat të vërtetë në fushën e historiografisë dhe të diplomacisë si rrugë për tek e vërteta e kuptimit dhe e reagimit të mendimit politik dhe diplomatik shqiptar. Ky duhet konsideruar kontribut i vyer i librit, në një fushë të rëndësishme studimore, si dhe të praktikës shtetërore dhe diplomatike.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit