-sidi education-spot_img
22.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: Pse i zhduken ish-ët Ramës

Kryesoret

Ka qenë njëra nga vërejtjet e shefit të qeverisë dhe drejtuesit të PS-në në një mbledhje me dyer të mbyllura të kësaj strukture politike. Është e vërtetë: ish ministra dhe , sidomos zevendës të tyre, pasi nuk janë më në postet e afruara, nuk duken më. Ata bëhen të paqenësishëm.

Ka një shkak dhe fajtori kryesor për këtë, është vetë shefi i PS-së.

Përgjithësisht, ata që zhduken, që e lënë angazhimin e tyre pasi kanë lënë edhe karriket janë njerëz të zgjedhur në këtë post nga vetë shefi i qeverisë dhe të miratuar “ unanimisht” nga deputetët e kësaj partie.

Janë njerëz që nuk kanë pasur asnjë lidhje me të majtën, kanë qenë të panjohur për to dhe që, për një tekë të momentit të shefit të qeverisë , janë bërë ministra, zëvendës, drejtorë të rëndësishëm. Askush nuk i ka njohur më parë si militues apo të afruar me të majtën, shumë kush nuk ua ka ditur as emrin deri asaj kohe që i kanë parë në postet ministrore. Si rrjedhim, sapo i kanë lënë këto poste, edhe i kanë harruar se cilët qenë.

Përse mbesin të majtë dhe të angazhuar pranë së majtës, edhe kur nuk janë më ministra apo deputetë, figura të tilla të së majtës si Namik Dokle, Arta Dade, Gramoz Ruçi, Ethem Ruka, e shumë të tjerë? Përse, deri në momentin e fundit, një përsonalitet i shquar, Moikom Zeqo, mbeti vizionar i parimeve të së majtës moderne europiane, megjithëse qeveria e forcës politike , ku ai ishte bashkë themelues, për afro tetë vite në pushtet, nuk i afroi asnjë “vend pune”, përkundrazi, bëri sikur e harroi?

Funksionarët e lartë të së majtës së sotme, me pak përjashtime, nuk kanë pasur dhe nuk kanë asnjë lidhje me të majtën. Ata nuk kanë zgjedhja e kësaj force politike, por thjeshtë e shefit të partisë, që, qoftë edhe në momentet e fundit, ndoshta duke ecur rrugës, ka vendosur se cilët do të jetë në krye të dikastereve të rëndësishme. E majta, tashmë e nënshtruar, ka miratuar çdo propozim të bërë, edhe pse nuk i ka njohur se cilat janë këto vajza të reja apo djem të rinj, shumica dërmuese, zhgënjyes.

Askush nuk e ka ditur në Shkodër se, njëra nga ministret e kabinetit Rama, Edona Bilali, kishte qenë e së majtës, deri sa u bë ministre. Kështu ka ndodhur edhe me të tjerë, jo vetëm nga ky qytet, që tani nuk ka asnjë përfaqësues në kabinetin qeveritar.

Vendimi për të zgjedhur trupën drejtuese të ekzekutivit vërtet mund të jetë atribut i të parit të qeverisë, por edhe detyrim politik i forcës që e ka mandatuar. Nëse, pas kësaj zgjedhje vetjake, ministra apo ish ministra që, kur humbin postin, nuk duan t’ia dinë për forcën politike që i mandatoi, atëherë askush tjetër nuk mund të ketë përgjegjësinë e tij politike, veç atij që i zgjodhi.

Në të vërtetë, shumë prej atyre që ishin, qoftë edhe përkohësisht ministra, kur u larguan, ishin njerëz të pasur. Qeverisja i kishte bërë të tillë. Për këtë edhe e kishin dashur qeverisjen. As kur ishin ministra, as kur nuk ishin të tillë, ata e panë pushtetin si mjet për pasurimin e tyre. Nuk u shkoi kurrë mendja tek ata, socialistët e zakonshëm, të thjeshtë, që prisnin një të ardhme ndryshe. Sepse nuk e kishin lidhur jetën me to.

Kur një ministër bën të veten mentalitetin e njeriut të zakonshëm që kërkon ndryshim, atëherë ai bëhet i besuar, si ndodhi me zonjën Spiropali në Shkodër, kur vetë qenia e saj për shumë vite në strukturat drejtuese, bëri të besueshme fjalën e saj.

Çfarë mund t’u besosh ministrave të sotëm, që, para se të bëheshin të tillë, nuk e dinin as ku ishte selia e PS? Ama, i dinë fare mirë vilat që kanë ndërtuar në fare pak kohë, investimet që kanë bërë, pasurinë që kanë krijuar. Pas kësaj, përse u duhet e majta?

Edhe sot, në kabinetin e tanishëm, po të shikosh me vemendje, pak prej tyre kanë dalë nga radhët e forcës politike që drejton vendin. Ata vazhdojnë të jenë zgjedhje personale e të parit të qeverisë, që , edhe kur i emëron, edhe kur i shkarkon, e di krejt mirë se ata do të jenë të bindur si ushtarë sa janë në detyrë, por nuk do të bëhen kurrë militues dhe përfaqësues të forcës politike që i bëri ministra, aq më pak përçues të ideve apo mendimeve të majta. Sepse nuk ishin dhe nuk janë dot të tillë.

Dhe nuk do të jenë as në të ardhmen. Socialist nuk të bën posti, të bën besimi te e majta si forma më e mirë dhe progresive e qeverisjes.

Në “të majtën” e sotme, për fat të keq, po mësohen të nderojnë shefin e partisë si ndonjë sundimtar të shenjtë dhe mendimi kundërt me të, po u duket si një veprim i përbindshëm./ DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit