Thrilleri vazhdon me rrethanat e vdekjes së Alexei Navalny dhe atë që ndodhi me trupin e tij ndërsa ministrat e jashtëm të G7 kërkuan një shpjegim të plotë të rastit. Nëna e Navalnyt, i cili vdiq në burg të premten, nuk ka mundur të marrë trupin e djalit të saj, ndërsa ekipi i Alexei Navalny akuzon autoritetet ruse se kanë fshehur qëllimisht trupin e liderit të opozitës për të “mbuluar gjurmët” e një vrasjeje të dukshme, siç pretendojnë ata.
Autoritetet i thanë nënës dhe avokatit të Navalnyt kur arritën në burg se trupi i tij ishte dërguar në morgun në Salekhard, një qytet dy orë me makinë nga burgu. Por kur ata vizituan morgun e vetëm në Salekhard, u tha se nuk e kishin trupin.
Një tjetër aleat i Navalnyt, Ivan Zhdanov, tha se nënës së aktivistit i ishte thënë se ai kishte vdekur nga “sindroma e vdekjes së papritur” – një term i përgjithshëm dhe i paqartë për një gjendje që shkakton vdekje të papritur nga arresti kardiak pa ndonjë shkak të dukshëm.
Zyrtarët e burgut thuhet se i thanë nënës së Alexei Navalny se autopsia fillestare nuk ishte përfundimtare dhe se duhej kryer një e dytë.
Qeveritë perëndimore thonë se përgjegjësia për vdekjen e papritur të 47-vjeçarit i takon autoriteteve ruse, ndërsa ministrat e jashtëm nga grupi G7 i vendeve të pasura i bënë thirrje Rusisë që të “sqarojë urgjentisht” rrethanat që e rrethojnë atë.
Putin nuk ka komentuar publikisht që kur shërbimi rus i burgjeve njoftoi të premten se Navalny ishte sëmurë dhe vdiq në burgun e largët IK-3 në Rrethin Arktik. Menjëherë pas kësaj, Kremlini tha se ishte në dijeni dhe se presidenti ishte informuar.