Zgjedhjet për pushtetin në kryeqytetin e Serbisë, do të rimbahen më vonë gjatë këtij viti, thanë të dielën autoritetet serbe. Njoftimi pasoi disa muaj tensionesh politike në rritje rreth pretendimeve se partia në pushtet e presidentit Aleksandar Vuçiç, mashtroi në zgjedhjet për kuvendin e qytetit të Beogradit.
Partia Përparimtare Serbe e krahut të djathtë u shpall fituese e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të 17 dhjetorit. Por aleanca kryesore opozitare, Serbia Kundër Dhunës, këmbënguli se asaj iu vodh fitorja në Beograd dhe votimet për parlamentin e vendit u dëmtuan gjithashtu nga parregullsi të përhapura.
Mosmarrëveshjet çuan në protesta të mëdha në rrugë.
Nuk ishte menjëherë e qartë se kur do të mbahen zgjedhjet në Beograd, por e diela shënoi afatin zyrtar për konstituimin e pushtetit.
“Konstatoj se aktualisht nuk ka kuorum për mbajtjen e seancës dhe ju njoftoj se nuk janë plotësuar kushtet e parapara me ligjin për vetëqeverisje lokale për konstituimin e Kuvendit të qytetit të Beogradit. Kjo do të thotë zgjedhje”, tha Toma Fila, kryetar i Kuvendit të Beogradit.
Presidenti Vuçiç dhe partia e tij i kanë hedhur poshtë pretendimet për mashtrim duke i cilësuar ato sajime me qëllim të destabilizimit të Serbisë.
Vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve, thanë në fillim të kësaj jave se votimet e dhjetorit u mbajtën në “kushte të padrejta”, pjesërisht për shkak të përfshirjes së presidentit dhe përparësive sistematike për partinë në pushtet.









