Në Egjipt po bëhen bisedime për arritjen e një armëpushimi në Gazë përpara se të nisë muaji i Ramazanit, javën e ardhshme.
Izraeli nuk dërgoi delegacion, sepse pret përgjigje nga Hamasi mbi dy çështje, tha një zyrtar i qeverisë izraelite që foli në kushte anonimitetit.
Media izraelite njoftoi se qeveria po priste të vihej në dijeni se cilët pengje janë ende gjallë dhe sa palestinezë të burgosur kërkon Hamasi që të lirohen në këmbim të secilit prej pengjeve.
Pasi delegacioni i Hamasit mbërriti në Kajro, një zyrtar palestinez i tha agjencisë së lajmeve Reuters se arritja e një marrëveshjeje “nuk ishte ende e afërt”. Autoritetet izraelite nuk komentuan zyrtarisht.
Të shtunën, një zyrtar amerikan tha se arritja e një marrëveshjeje për armëpushim mes Izraelit dhe grupit militant Hamas, në Gazë dukej më pranë se kurrë. “Izraeli pak a shumë e ka pranuar kornizën e marëveshjes”, tha ai.
Marrëveshja e proopozuar parashikon armëpushim 6-javor dhe lirimin e pengjeve që janë të sëmurë, të plagosur dhe gratë, tha zyrtari i administratës amerikane.
Marrëveshja po ashtu do të lejonte hyrjen e më shumë ndihmave humanitare në Gazë.
Agjencia “France Presse” njoftoi të dielën se një zyrtar i lartë i Hamasit kishte thënë se një armëpushim mund të jetë i mundur brenda 24 deri në 48 orësh, nëse Izraeli do të pranonte kërkesat e Hamasit.
Sipas tij, kërkesat përfshijnë kthimin e palestinezëve të zhvendosur në Gazën veriore dhe rritjen e ndihmës humanitare./VOA









