Të rinj nga vendet e Ballkanit Perëndimor po punojnë për paketa të reja turistike në Luginën e Drinos në Gjirokastër. Në qendër të aktivitetit janë manastiret qindravjeçare ortodokse dhe zonat përreth tyre, që mbartin mjaft vlera për tu vizituar nga turistët. Aktiviteti i të rinjve mbështete nga organizata “Trashëgimi Kulturore pa kufij” me financimin e Fondit të Ambasadorëve amerikanë për Trashëgiminë Kulturore pranë Departamentit amerikan të Shtetit.
Një grup prej 16 të rinjsh nga vendet e Ballkanit Perëndimor janë mbledhur së bashku në Gjirokastër për të punuar për një paketë të re turistike për rajonin.
Paketa përfshin manastiret qindravjeçare ortodokse në Luginën e Drinos thotë për Zërin e Amerikës kordinatori i projektit Arnold Kapijova.
“Ne synojmë të dokumentojmë të gjitha pikat kyçe të interesit, asetet kulturore të zonës, vëndet me interes dhe site të mundshme të trashëgimisë kulturore që mund të ndodhen përgjatë shtigjeve”, thotë ai.
Synimi i të rinjve thotë më tej Arnoldi është për të krijuar një platformë dixhitale për këto shtigje kulturore, që të bëhen të prekshëm nga turistët dhe për t’i shërbyer zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm dhe miqësor me natyrën.
“Të rinjtë janë shumë të interesuar pasi ata e shohin që kjo lloj praktike lidhet me shtimin e një oferte turistike për rajonin por edhe të një turizmi të që qëndrueshëm, pra nuk është një lloj turizmi që është shkatërrues i natyrës por është krejt e kundërta. Është edhe në fakt një lloj turizmi që është turizëm kulturor”, thotë ai.
Njëri prej të rinjve , Sotiraq Dame, i cili organizon udhëtime në Luginën e Drinos për turistët e huaj thotë se u përfshi në këtë projekt për të krijuar shtigje të reja kulturore./VOA









