-sidi education-spot_img
10.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Plani kontrovers i investimit të dhëndrit të Trumpit në Serbi

Kryesoret

Para se të kandidonte për president në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trumpi, planifikonte të ndërtonte hotel me pesë yje, një sallë konferencash dhe sallë për panaire në objektin e Shtabit të Përgjithshëm në Beograd. Tani dhëndri i tij planifikon t’i investojë gjysmë miliardi dollarë në të njëjtin lokacion.

Ish-zyrat e Shtabit të Përgjithshëm të Serbisë nuk u rindërtuan kurrë. Kompleksi i ndërtesave në qendër të Beogradit u ndërtua më 1965. Ndërtesat u dëmtuan nga bombardimet e NATO-s më 1999 dhe Qeveria e Serbisë më vonë i shpalli aset të mbrojtur kulturor.

Siç ka shkruar “New York Times” së fundmi, dhëndri i Trumpit, Jared Kushner planifikon të ndërtojë hotel luksoz me hapësira për zyra, muze dhe 1500 apartamente.

Sipas një marrëveshjeje me ekipin e Kushnerit, Qeveria e Serbisë do t’ia japë në shfrytëzim hapësirën për 99 vjet. Sipas draftit që i është ofruar NYT-it nga një zyrtar qeveritar i Serbisë, ekziston mundësia që sapo që të ndërtohen hoteli dhe rezidencat luksoze, prona mund t’i bartet Kushnerit. Vetë Kushneri ka thënë se palët janë pajtuar që Qeverisë së Serbisë t’i jepen 22 për qind e të hyrave të gjeneruara nga projekti rreth 500 milionë dollarësh.

Gjithçka nisi me Daçiqin

Më 2013, para se të kandidonte për president të SHBA-së, Donald Trumpi, i kishte thënë një zyrtari të lartë serb se dëshironte të ndërtonte hotel me pesë yje në ndërtesën e Shtabit të Përgjithshëm. Madje të afërm të tij kishin vizituar Beograd për ta inspektuar zonën.

Ideja e investimit në atë lokacion kishte lindur pak muaj më herët, kur kryeministri serb i asaj kohe, Ivica Daçiqi, kishte takuar Trumpin në New York. “Po ashtu më ka pyetur për fushën e energjisë, por do të nisim të flasim për hotelin”, pati treguar Daçiqi në fund të 2013-s për takimin me Trumpin. Siç shkruan “Jutarnji”, Daçiqi kurrë nuk ka treguar se çka ka ndodhur më pas dhe përse ka dështuar investimi.

Pas betimit si president më 2016, Trumpi u zotua se nuk do të bëjë biznes jashtë shtetit për të shmangur konfliktin e interesit. Por gjatë administratës së Trumpit, një njeri ka bërë përpjekje për të shtyrë përpara bashkëpunimin SHBA-Serbi. Richard Grenell, atëkohë emisar special i Trumpit për Ballkanin, ka avokuar për investimet amerikane në Beograd.

Më 2020, Grenelli u përpoq ta bindte Trumpin të rikonsideronte ndërtimin në atë zonë. Grenelli e prezantoi propozimin menjëherë pasi Trumpi priti presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Shtëpinë e Bardhë, sipas vetë qeveritarëve të Serbisë. Më 2020, Serbia dhe Kosova nënshkruan “Marrëveshjen e Washingtonit” në Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë asaj vizite, Vuçiqi lavdëroi Grenellin për përpjekjet që kishte bërë në normalizimin e raporteve ekonomike në mes të Serbisë dhe Kosovës. Edhe Trumpi gjatë ceremonisë së nënshkrimit pati lavdëruar Grenellin. Grenelli në anën tjetër pati thënë se përparimi në raportet mes dy shteteve është rezultat i Presidencës Trump dhe ai është “politikani që mund të shpije në përparimin politik”. Kushneri ishte këshilltar i lartë i Trumpit atë kohë.

Jo shumë pasi Trumpi u largua nga Shtëpia e Bardhë, Grenelli u kthye në Serbi dhe vazhdoi të avokonte për projektet, sipas raportimeve. Pas disa vitesh lobimi, Grenelli arriti ta bindte Kushnerin të investonte në Beograd.

“Ric është avokues i investimeve në Ballkan dhe është përpjekur të më shtyjë në investimet në këtë projekt, qëkur kam themeluar fondin tim”, ka thënë Kushneri për Grenellin.

Konflikti i interesit

Kathleen Clark, profesoreshë e juridikut në Universitetin e Washingtonit, ka thënë se projekti i Kushnerit në Serbi paraqet konflikt interesi nëse Trumpi rizgjidhet president.

“Ka shqetësime se Qeveria e Serbisë mund të përpiqet të ndikojë te presidenti i ardhshëm Trump duke pasuruar familjen e presidentit. Politika e jashtme ndaj Serbisë duhet të ndikohet nga ajo që është në interes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe jo nga ndonjë favor financiar që vjen nga Qeveria e Serbisë”, ka thënë Clark.

Kushneri ka thënë se s’i ka diskutuar kurrë me Trumpin projektet në Beograd dhe ka thënë se nuk ka qenë në dijeni që vjehrri ishte i interesuar për investime në këtë lokacion.

I pyetur për këtë çështje dhe rrethanat që lidhen me të, Vuçiqi ka thënë se “ka vdekur duke qeshur” kur ka lexuar se “do të ndikojë” te Trumpi nëpërmjet investimeve të Kushnerit në Beograd. Kompania e investimeve e dhëndrit të Trumpit është afër që të marrë projekte edhe në Shqipëri./ Koha

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit