Rruga Korçë-Ersekë u premtua të përfundonte në qershor të 2023. Afati u shty me një vit, por teksa prisnim që aksi të inagurohej, një pjesë e rrugës u ‘shkërmoq’ bashkë me propagandën. Inxhinierët gjeodet e kanë të qartë arsyen e shembjes së rrugës- cilësia e dobët e punimeve.
Por Autoriteti Rrugor Shqiptar e konsideron rrëshqitje dhe jo shembje, dëmtimin e rrugës që i ka kushtuar 80 milionë euro shqiptarëve. Çështja është depozituar në SPAK, ndërsa afati i ri për përurimin e rrugës është shtyrë në prag të zgjedhjeve 2025.
Qershorin e vitit të shkuar banorët e Ersekës prisnin inagurimin e rrugës së re do t’i lidhte kolonjarët me Korçën.
“MIRËMËNGJES me një nga kantierët më të rëndësishëm të momentit, aksin rrugor Korçë-Ersekë, një vepër madhore për qarkullimin e automjeteve dhe turizmin, që ditë pas dite po merr formë për të qenë gati në qershor të këtij viti…”, lajmëronte kryeministri Edi Rama në shkurt të vitit 2023, teksa ndante pamje të rrugës me ndjekësit në rrjetet sociale.
Por ndryshe nga sa deklaronte Rama, punimet në kantierin e hapur 13 vite më parë, nuk përfunduan në qershor të 2023.
Pa dhënë asnjë shpjegim, inagurimi i shumëpritur u shty me një vit. Por katër muaj përpara prerjes së shiritave, aksi pësoi shembje masive duke e bërë rrugën të pakalueshme në vendin e quajtur Qafa e Qarrit (Lexo ketu shkrimin e plote).